Shkruan: Gent Gjini
Në cilësinë time si avokat, angazhimi im i fundit është për të trajtuar një fenomen që ka marrë një dimension negativ dhe që ka shndërruar grisjen e librit të shenjtë të Kuranit në një akt të papranueshëm, i cili po bëhet gjithnjë e më i pranishëm në disa vende, përfshirë Suedinë dhe Danimarkën, ku individë dhe subjekte politike kanë shkatërruar publikisht librin e Kuranit në qendrat e qyteteve të tyre.
Duke besuar se një fenomen i tillë nuk do të shfaqet në trojet shqiptare, me habi u ballafaquam ditë më parë me një ngjarje të tillë në qytetin e Prizrenit. Një individ, i kapur nga kamerat e sigurisë, shfaqet duke grisur Kuranin në qendër të qytetit. Ky akt ka tronditur thellësisht qytetarët e Prizrenit, por edhe më gjerë, duke prekur ndjenjat e tyre fetare dhe shpirtërore. Ky është një rast i paprecedentë për qytetet shqiptare, ku diçka e tillë nuk ka ndodhur më parë.
Në cilësinë time si avokat, kam kërkuar të angazhohem përfaqësimin e çështjes në emër të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, duke u përpjekur të luftoj kundër dukurive negative të tilla, ku individë të caktuar, ndoshta të motivuar nga qëllime të caktuara, mund të shkatërrojnë librin e shenjtë të Kuranit.
Edhe pse personi që ka kryer këtë akt të shëmtuar është arrestuar nga autoritetet përkatëse dhe është caktuar masa e paraburgimit, unë mendoj se ky rast duhet të trajtohet në mënyrë më të thellë dhe të hetohet në disa dimensione. Duhet të shqyrtojmë se çfarë e ka shtyrë individin të kryejë një akt të tillë dhe të grisë librin e shenjtë të Kuranit.
Nga informacionet e deritanishme, ka dalë se personi në fjalë ka pasur probleme mendore dhe një histori kriminale. Megjithatë, si avokat, besoj se është e nevojshme që ky akt të hetohet më thellë dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse, pa e kaluar si diçka të thjeshtë për shkak të problemeve mendore të personit. Ky akt nuk mund të konsiderohet si diçka normale vetëm për shkak të kësaj arsyeje.
Disa pyetje të natyrshme lindin në këtë situatë:
- Pse akti i grisjes së Kuranit ka ndodhur gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit?
- Përse ky akt ka ndodhur në qytetin e Prizrenit, një qytet i njohur për vlerat e tij fetare, ku shumica e qytetarëve janë myslimanë?
- Ka mundësi që ky akt të ketë ndodhur si pjesë e një trende që po përhapet në disa shtete europiane, si Suedia dhe Danimarka?
Këto janë disa nga dilemat që mund të sugjerojnë se grisja e Kuranit nga ky individ mund të ketë pasur ndikime të jashtme. Po ashtu, është e rëndësishme që procedura e hetimit të jetë gjithëpërfshirëse dhe të shqyrtohen gjithashtu mundësitë përmes analizimit të telefonatave dhe mesazheve që mund të ketë pasur individi.
Sa i përket individëve me çrregullime mendore, është e rëndësishme të merret parasysh që vlerësimi i një personi si i sëmurë mendore bëhet në bazë të aspekteve të ndryshme juridike dhe mjekësore. Nëse një person ka pasur një paaftësi totale mendore, atëherë nuk mund të justifikohet që ai të shëtisë i lirë në qytet, pa u trajtuar në institucione të përshtatshme për persona me probleme mendore. Kjo ngre pyetjen: Pse ky individ nuk është trajtuar dhe mbajtur nën mbikëqyrje të vazhdueshme?
Ky është një rast që kërkon një hetim të thellë dhe një qasje gjithëpërfshirëse për të kuptuar plotësisht motivet dhe pasojat e veprimeve të tij, duke i dhënë drejtësisë mundësinë për të marrë një vendim të drejtë dhe të arsyeshëm.