Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës priti të hënën në takim ambasadorin e Republikes së Sllovenisë ne Kosovë, Borut Blaj, gjatë të cilit thuhet se u diskutuan çështje me interes të përbashkët në fushën e tregtisë, lehtësimit të procedurave doganore dhe avancimit të bashkëpunimit institucional.
Sipas njoftimit, ambasadori ishte i shoqëruar nga përfaqësuesi rajonal i kompanisë sllovene të logjistikës Interevropa, me të cilin u zhvillua një diskutim i detajuar lidhur me zhvillimet aktuale dhe perspektivën e ardhshme të procesit të zhdoganimit në Kosovë.
Në njoftim thuhet se në fokus të veçantë ishte orientimi drejt zhdoganimit pa përdorimin e terminaleve doganore të brendshme, si pjesë e reformave që synojnë thjeshtësimin e procedurave, uljen e kostove dhe rritjen e efikasitetit për operatorët ekonomikë.
Siç bëhet e ditur në njoftimin e Doganës, gjatë takimit u trajtua edhe çështja e evitimit të pagesave për shërbime të zhdoganimit, pas progresit të bërë nga Republika e Kosoves në krijimin e lehtësirave dhe përafrimin e prakitkave me vendet e BE-së, zhvillime këto të theksuara edhe në raportin e Komisionit Evropian për Republikën e Kosoves.
Dogana njofton se palët theksuan rëndësinë e adresimit të kësaj çështjeje përmes reformave të qëndrueshme, me qëllim të rritjes së transparencës, konkurrencës së ndershme dhe përmirësimit të klimës së biznesit.
“Drejtori i Përgjithshëm theksoi përkushtimin e Doganës së Kosovës për zbatimin e standardeve evropiane në fushën doganore, digjitalizimin e mëtejmë të proceseve dhe forcimin e bashkëpunimit me sektorin privat dhe partnerët ndërkombëtarë, në funksion të lehtësimit të tregtisë dhe integrimit evropian të vendit. Palët u dakorduan që dialogu dhe bashkëpunimi të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me synimin e përbashkët për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe përmirësim të mjedisit të të bërit biznes në Kosovë” – thuhet në njoftim.





