Në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash, të enjten, ka dështuar të mbahet seanca në rastin e të akuzuarve për vjedhje të rëndë, Gani Berisha dhe Izjet Halilaj.
Gjyqtarja e çështjes, Sabaheta Kurteshi, ka konstatuar se për të pandehurit Berisha dhe Halilaj, nuk ka fakte se janë thirrur në mënyrë të rregullt, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prezent në seancën e paraparë për të enjten, ka qenë prokurori Shehadin Desatani.
Në mungesë të kushteve ligjore, seanca nuk është mbajtur, ndërsa e njëjta është caktuar nga gjyqtarja Kurteshi, me datën 18 nëntor 2020, në ora 14:00.
Në bazë të aktakuzës së 11 shtatorit 2018 të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, Gani Berisha dhe Izjet Halilaj akuzohen për veprën penale “vjedhje e rëndë”.
Ata akuzohen se më 17 prill 2016, në orë të pavërtetuar, në fshatin Brodosan, Komuna e Dragashit, në shtëpinë e të dëmtuarit Samir Hasani, të pandehurit në bashkëveprim, duke thyer, kaluar, apo depërtuar me forcë në hapësirat e mbyllura ose duke hequr pengesat e tjera, me qellim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme, shfrytëzojnë momentin e volitshëm, mos prezencën e të dëmtuarit, i afrohen shtëpisë se tij, ku me mjet të fortë, të përshtatshëm, hapin dritaren e banjës dhe hyjnë brenda.
Sipas aktakuzës, ata me mjet të përshtatshëm thyejnë edhe derën e hyrjes se shtëpisë, demolojnë edhe gjerat e shtëpisë, ku nga aty marrin veshjet e nusërisë dhe largohen nga vendi i ngjarjes, me ç’rast të dëmtuarit i shkaktojnë dëm material.
Me këto veprime, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vjedhje e rëndë”, nga paragrafi 327,paragrafi 1,nenparagrafi 1.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi