Dogana e Kosovës ka ndaluar për kontroll një udhëtar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, pasi gjatë kontrollit të bagazhit janë gjetur tetë telefona të mençur të padeklaruar.
Sipas Doganës së Kosovës, kontrolli është kryer në kuadër të kontrolleve rutinore dhe analizës së rrezikut ndaj udhëtarëve që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.
Pas kalimit të bagazhit nëpër skaner dhe ngritjes së dyshimeve nga zyrtari doganor, është kryer edhe kontrolli fizik i bagazhit.
Gjatë ekzaminimit janë gjetur tetë telefona të mençur të markës iPhone 18, të cilët nuk ishin deklaruar pranë autoriteteve doganore. Vlera e përgjithshme e tyre është rreth 15 mijë euro.
Mallrat janë ndaluar nga Dogana e Kosovës, ndërsa rasti është proceduar për vazhdimin e procedurave doganore, përfshirë përcaktimin e statusit doganor dhe detyrimeve përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Dogana ka rikujtuar se, sipas Kodit Doganor dhe të Akcizave, mallrat e bartura nga udhëtarët duhet të deklarohen kur tejkalojnë kufijtë e lejuar ose kur kanë natyrë tregtare. Lirimi për bagazhin personal vlen vetëm për importe që nuk kanë karakter tregtar, ndërsa natyra dhe sasia e mallrave janë ndër elementet që merren parasysh gjatë përcaktimit të këtij karakteri.
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet në pikat e kalimit kufitar, me qëllim të parandalimit të shkeljeve doganore dhe zbatimit të legjislacionit doganor.
