- Reklama -

Djathë e mjaltë – produktet vulë të Shqipërisë

Djathi Mishavina i Bjeshkëve të Kelmendit në Shqipëri, mjalti i bedunicës, djathi i zier i Veleçikut dhe djathi i dhisë nga Bjeshkët e Rrunjës janë katër produkte shqiptare, të certifikuara për cilësi të lartë.

Kjo, sipas Ministrisë së Bujqësisë në Shqipëri, do të jetë një “pasaportë” për tregtimin e tyre jashtë vendit, do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin rural dhe do ta përforcojë markën “E prodhuar në Shqipëri”.

- Reklama -

“Ndër 40 produkte të identifikuara, këto katër produkte arritën t’i kapin standardet e kërkuara dhe t’i plotësojnë kushtet për certifikim, të cilat janë shumë strikte”, thotë për Radion Evropa e Lirë Armand Kikino, anëtar i Komisionit për skemat e cilësisë në Ministrinë e Bujqësisë.

Katër produktet në fjalë u klasifikuan nga kjo ministri në tri kategori: tregues gjeografik, emërtim i origjinës dhe specialitet tradicional i garantuar.

Për ta arritur këtë, produkti duhet të prodhohet për së paku 30 vjet, të ketë mënyrë të veçantë dhe tradicionale të përpunimit.

Procedura për identifikimin dhe verifikimin e tyre ka vite që ka nisur, thotë Kikino, dhe ato janë të parat në Shqipëri që e kanë kaluar testin.

“Djathi i ziem i Veleçikut”, gatimi shekullor për mysafirë specialë

Djathi i zier, që në origjinal njihet si “djathë i ziem”, është traditë shekullore e Malësisë së Madhe, ku gatuhej kryesisht për të nderuar mikun.

Gjovalin Hasanaj, udhëheqës i Shoqërisë së Bashkëpunimit Bujqësor “Djathi i Ziem Veleçik”, shpjegon për Radion Evropa e Lirë se si përgatitet dhe ku qëndron e veçanta e këtij produkti:

“Termi ‘i ziem’ është i lidhur me mënyrën specifike të përgatitjes së tij: gatim i veçantë që është trashëguar gojarisht brez pas brezi. Karakteristikat specifike të djathit janë struktura e tij e butë dhe elastike, si edhe shija delikate e pak e athët”.

“Kjo recetë ishte e rezervuar për mysafirë specialë dhe vetëm gratë e shtëpisë dinin ta përgatisnin. Procesi i prodhimit dhe përgatitjes sot ruan traditën, duke respektuar pothuajse të njëjtën metodë që është përdorur brez pas brezi”, thotë Hasanaj.

Referuar traditës shekullore, për këtë djathë përdoret qumësht lope i pazier. Ai lihet në një dërrasë për 2-3 ditë, derisa të thahet. Dikur lihej në diell, ndërsa sot thahet në dhomë të veçantë, ku kontrollohet lagështia dhe temperatura.

Pasi të jetë tharë, thërrmohet gjysma e djathit dhe hidhet në tigan me pak gjalpë derisa të shkrihet, i shtohet ujë dhe miell misri dhe zihet për ca minuta. Më pas shtohet pjesa e djathit të mbetur dhe zihet e gjithë masa për disa minuta të tjera. Ai shërbehet në enë balte dhe shoqërohet me mjaltë.

Hasanaj tregon se “djathi i ziem” është traditë e vjetër e Shqipërisë së Veriut, që sot prodhohet në sasi të kufizuar.

Ky gatim, i certifikuar si specialitet tradicional i garantuar, është ndër specialitetet kryesore të bujtinave në Malësinë e Madhe.

Certifikimi i tillë “është vlerë e shtuar për produktin tonë dhe, në të njëjtën kohë, garanci për konsumatorët”, thotë Hasanaj për Radion Evropa e Lirë.

“Ky ka qenë një proces relativisht i gjatë, sepse së pari duhet të njihesh me kriteret që duhet t’i plotësojë një produkt për t’u certifikuar si specialitet tradicional i garantuar. Bëhet fjalë për produkte që kanë traditë prodhimi të paktën 30 vjet. Ato duhet të kenë karakteristika specifike, që i bëjnë ato të veçanta nga produktet e tjera të së njëjtës kategori, siç mund të jenë përbërësit ose metoda e prodhimit”, shpjegon Hasanaj.

Në punishten e tij artizanale prodhohen edhe lloje të tjera djathërash, si ata me boronicë, me arra, me sherbelë, me borzilok, me piper etj.

“Mjalti i bedunicës” – vështirësi për t’i plotësuar kërkesat, mungon fuqia punëtore

Një tjetër produkt që është certifikuar si specialitet tradicional i garantuar, është mjalti i bedunicës.

Flora Sali, një ndër kultivueset e këtij mjalti në zonën e Përmetit, në jug të Shqipërisë, tregon se të parët e saj kanë qenë bletërritës.

Ajo dhe bashkëshorti nisën të merreshin me bletë 19 vjet më parë, kur blenë 5 koshere, ndërsa sot kanë 150.

“Në fillim nuk e dinim se sa i veçantë dhe sa kurativ ishte ky lloj mjalti nga lulja e bedunicës. Prodhonim sa për konsum familjar dhe u jepnim edhe të afërmve apo miqve. Pastaj, me përfshirjen time në shoqata të bletërritësve, kuptova rëndësinë dhe nisën kërkesa të shumta për këtë mjaltë”, thotë Sali.

“Mjalti i bedunicës ka ngjyrë të verdhë, me refleks në ngjyrë jeshile, është më i trashë nga të tjerët, për shkak të periudhës kur çel lulja – [gusht-shtator] – në një kohë pa lagështi, e thatë. Kjo bën që mjalti të trashet më shpejt, të bëhet si kremoz. Ka shtatë vjet që Ministria [e Bujqësisë], bashkë me një grup tjetër biologësh, kuzhinierësh dhe studiuesish në fusha të tjera, u morën me certifikimin. Mezi e prisja këtë certifikim, si mënyra e vetme e mbrojtjes së këtij mjalti”, thotë 39-vjeçarja Flora Sali.

Ajo pret që certifikimi t’i rrisë mundësitë për bletërritësit e kësaj zone për të përfituar më shumë të ardhura, duke tregtuar mjaltin e bedunicës.

“Unë kam shumë kërkesa për këtë mjaltë dhe nuk i plotësoj dot se nuk ka forcë punëtore, pasi të rinjtë po largohen. Kështu që kjo është një mënyrë e mirë për ta që të punojnë në vendin e tyre. Meqë unë nuk i plotësoj dot, janë bletarë të tjerë që u jepet mundësia ta rrisin numrin e koshereve dhe ta tregtojnë produktin e certifikuar që do të kërkohet gjithnjë e më shumë”, thotë bletërritësja nga fshati Gostivisht i Përmetit.

Eksperti i bujqësisë, Kikino, shprehet i bindur se certifikimi i tillë i produkteve siguron eksportin e tyre në tregjet ndërkombëtare dhe hap rrugën që ato të regjistrohen në organizatat ndërkombëtare si produkte përfaqësuese të traditës më të mirë shqiptare.

Ministrja e Bujqësisë e Shqipërisë, Frida Krifca, ka thënë se në Evropë “duhet të shkojmë edhe me identitetin tonë në fushën e ushqimit”.

Ajo ka bërë të ditur se janë rreth 40 produkte të mundshme për t’u regjistruar dhe certifikuar, por ka thënë se kjo kërkon edhe organizimin e fermerëve në shoqëri të bashkëpunimit bujqësor./REL

- Reklama -
Klikoni Këtu për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Më të lexuarat

Numërohen votat e para për Kuvendin Komunal të Prizrenit, linku ku mund t’i gjeni rezultatet

KQZ ka publikuar rezultatet e para të kandidatëve për...

ACE mbyll Filma24, gjigantin e piraterisë së filmave në Shqipëri

Për mijëra shqiptarë, Filma24 ishte destinacioni kryesor për filma...

Feel Unique Sensations at Crown Green Casino and Join Unique Adventures – Exclusive Rewards

Feel Unique Sensations at Crown Green Casino and Join...

Dy raste të rënda në Arbanë dhe Grejkoc: I japin fund jetës një 36-vjeçar dhe një 43-vjeçare

Dy raste të ndara me pasojë vdekjen janë raportuar...

Të shtëna me armë zjarri në Prizren, dy persona të plagosur – jashtë rrezikut për jetë

Dy persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e...

Të ngjajshme

isim değiştirme

- mersin escort

isim değiştirme

- mersin escort