LAJME

Ditëlindja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Haxhiu: Themeluesi i idesë shqiptare, e cila mbetet edhe sot pjesë e rrugës sonë

Ditëlindja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Haxhiu: Themeluesi i idesë shqiptare, e cila mbetet edhe sot pjesë e rrugës sonë
TV Prizreni
TV Prizreni
6 Maj 2026, 11:02

Ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit, Albulena Haxhiu, ka kujtuar heroin kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, me rastin e ditëlindjes së tij.

Haxhiu theksoi se Skënderbeu, me mendje mendje politike, me luftë e me aleanca, ai e bëri emrin shqiptar të dëgjohej në Evropë.

“Sot, në ditëlindjen e Gjergj Kastriotit, kujtojmë figurën që i dha historisë shqiptare drejtim. Skënderbeu jetoi në një kohë kur fatet e popujve vendoseshin nga perandoritë. Ai nuk pranoi që shqiptarët të mbeteshin në skaj të asaj historie. Me mendje politike, me luftë e me aleanca, ai e bëri emrin shqiptar të dëgjohej në Evropë” – shkruan Haxhiu.

Ajo tha se në kohën e tij, shqiptarët dolën përtej fisit e krahinës dhe u shfaqën si bashkësi politike, me miq, me flamur e me drejtim.

Haxhiu shtoi se ideja e tij, mbetet edhe sot pjesë e rrugës së shqiptarëve.

“Arbëria u bë një nga pikat e qëndresës evropiane përballë zgjerimit osman. Prej asaj qëndrese, emri shqiptar mori peshë në Evropë dhe shqiptarët e panë më qartë se vendi i tyre nuk ishte nën hijen e perandorive. Kadare kishte të drejtë kur thoshte se Skënderbeu ishte themeluesi i idesë shqiptare. Ajo ide, e provuar në luftë dhe e njohur në Evropë, mbetet edhe sot pjesë e rrugës sonë. Lavdi e përjetshme Gjergj Kastriotit, Kryetrimit të shqiptarëve” – shkruan tutje ajo.

Heroi kombëtar Gjergj Kastriot – Skënderbeu ka lindur më 6 maj të vitit 1405, në një familje fisnike të Dibrës, siç ishte ajo e Gjon Kastriotit. Ai u mor peng nga Sulltan Murati dhe luftoi për Perandorinë Osmane si gjeneral deri në vitin 1443, vit në të cilin u largua gjatë një beteje, duke u rikthyer në Krujë. Në vitin 1444 ai mblodhi të gjithë princërit shqiptarë në Kuvendin e Lezhës, ku u vendos unanimisht të luftohej për marrjen në zotërim të trojeve shqiptare kundër Perandorisë Osmane.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika