Të gjithë që merren me sektorin e qumështit do të detyrohen të raportojnë në mënyrë digjitale të dhënat mbi procesin, bazuar në një njoftim të marrë nga ministri i Bujqësisë, Armend Muja.
Me këtë vendim, vendoset sistemi i detyrueshëm i raportimit digjital në sektorin e qumështit. Sipas Mujës, vendimi është marrë në mbështetje të Ligjit për Ushqim dhe në kuadër të kompetencave për garantimin e sigurisë ushqimore, transparencës dhe gjurmueshmërisë në treg.
“Përmes këtij vendimi, qumështoret, pikat grumbulluese, përpunuesit dhe importuesit do të obligohen të raportojnë në mënyrë digjitale të dhëna mbi grumbullimin, prodhimin, stoqet, importet, si dhe përdorimin e qumështit pluhur dhe yndyrave bimore (vaji i palmes) në produktet ushqimore”, ka njoftuar Muja në Facebook.
Sipas tij, sistemi do ta forcojë transparencën në treg, gjurmueshmërinë e produkteve ushqimore dhe bashkëpunimin institucional ndërmjet Ministrisë, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Doganës dhe institucioneve tjera relevante.
Muja e ka cilësuar vendim hap të rëndësishëm në mbrojtje të “konsumatorit, fermerëve vendorë dhe zhvillimit të një tregu më transparent, më të drejtë dhe më të kontrolluar në sektorin e qumështit në Republikën e Kosovës”.