Organizata joqeveritare Romano Yekhipe, përmes degës së saj në Diasporë, ka treguar një shembull domethënës solidariteti duke mbledhur 800 euro për të ndihmuar të riun M.M., i cili disa javë më parë u sulmua brutalisht në qytetin e Prizrenit, vetëm pse nuk kishte 5 euro për t’ua dhënë sulmuesve.
Si pasojë e sulmit, M.M. pësoi thyerje në nofull dhe iu desh të nënshtrohej një operacion të ndërlikuar. Shuma e mbledhur është transferuar përmes bankës tek gjyshi i M.M., me qëllim që të mbulohen të paktën një pjesë e shpenzimeve mjekësore dhe të ndihmohet procesi i rikuperimit të të riut pas ndërhyrjes kirurgjikale.
Ky akt solidariteti thekson edhe një herë forcën dhe ndjeshmërinë e komunitetit rom, si dhe angazhimin e palëkundur të diasporës për të qenë pranë atyre që përballen me padrejtësi dhe dhunë.





