LAJME

Dhjetëra armë të konfiskuara për një ditë nga ahengje e bastisje

Dhjetëra armë të konfiskuara për një ditë nga ahengje e bastisje
TV Prizreni
TV Prizreni
15 Gusht 2026, 10:47

Policia e Kosovës ka raportuar për disa raste të përdorimit dhe posedimit të armëve në pjesë të ndryshme të vendit gjatë 14 gushtit, ndërsa në shumicën e rasteve të dyshuarit janë liruar pas intervistimit dhe procedurat vazhdojnë në procedurë të rregullt.

Gjatë të premtes, Policia ka bastisur pesë shtëpi në Zubin-Potok dhe ka gjetur armë në to. Në rastin e parë ku ka bastisur shtëpinë e një gruaje Policia ka konfiskuar një pushkë gjuetie me leje. Nga shtëpia e të dyshuarit të dytë ka konfiskuar një AK-47, një revole, 446 fishekë, 42 krehër, një radiolidhje, si dhe pajisje tjera ushtarake.

Në një shtëpi tjetër po ashtu në Zubin-Potok ka konfiskuar një pushkë gjuetie, një revole dhe dy fishekë. Në lokacionin e katërt ka konfiskuar 178 fishekë të kalibrave të ndryshëm, një gaz maskë, dy radiolidhje, si dhe disa pajisje tjera për armë. Dhe në një shtëpi të pabanuar Policia gjeti dhe konfiskoi 30 fishekë kalibrash të ndryshëm dhe 5 gëzhoja të armëve të gjata.

Të pesë rastet e bastisjeve kanë vazhduar në procedurë të rregullt.

Disa armë të tjera janë konfiskuar në raste kur janë përdorur nëpër ahengje. Në raportin e PK-së njoftohet se janë hasur pesë raste të tilla në 24 orët e fundit. Në Podujevë është arrestuar i dyshuari nën dyshimin se në një aheng familjar ka shtënë me armë zjarri. Njësitë policore gjatë kontrollit në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me gas dhe 6 gëzhoja si dëshmi materiale. Po ashtu në Podujevë, është arrestuar një tjetër i dyshuar për shtënie me armë në aheng familjar. Nga i dyshuari është sekuestruar një pistoletë me gas, pesë fishekë dhe tri gëzhoja.

Në Istog është arrestuar një i dyshuar tjetër për gjuajtje me armë në aheng dhe Policia ka konfiskuar një armë me gaz dhe një karikator i të njëjtës armë. Në Malishevë është arrestuar gjithashtu një i dyshuar për të njëjtën vepër dhe i është konfiskuar një armë me gaz dhe pesë gëzhoja të të njëjtës armë. Me vendim të prokurorit, këta katër të dyshuar pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.

Policia ka arrestuar edhe një të dyshuar për përdorim të armës gjatë një ahengu në fshatin Stanovc i Epërm në Vushtrri. Nga i dyshuari është sekuestruar një pistoletë me gas dhe 6 gëzhoja. Në konsultim me prokurorin ky i dyshuar pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

E disa raste të tjera armëmbajtjeje gjithashtu janë përcjellë me veprime policore.

Në Prishtinë është arrestuar i dyshuari, pasi që në rrjete sociale ka publikuar një video incizim duke shtënë me armë zjarri. Njësiti policor në vendin e ngjarjes ka gjetur dhe sekuestruar 4 gëzhoja, ndërsa nga i dyshuari ka sekuestruar një armë me gas dhe 13 fishekë. Në Podujevë u arrestua një tjetër që po ashtu kishte publikuar video incizim duke shtënë me armë zjarri. Nga i dyshuari është sekuestruar një pistoletë me gas me karikator. Në të dyja rastet, të dyshuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.

Në Fushë-Kosovë është arrestuar një i dyshuar për shkak se dyshohet se kishte shtënë me armë tek një lokal. Nga i dyshuari është sekuestruar një pistoletë me karikator dhe dy fishekë me gas. Edhe në një rast tjetër në Prishtinë është arrestuar një i dyshuar për gjuajtje me armë dhe i është sekuestruar një pistoletë me karikator, 86 fishekë dhe një gëzhojë. Të dy pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.

Policia ka pranuar edhe një informacion për gjuajtje me armë nga disa persona në Marec të Prishtinës. Sipas PK-së, të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur dhe në vendngjarje policët kanë gjetur dhe sekuestruar 13 gëzhoja kalibrash të ndryshëm. Në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti dhe mbetet në hetime./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika