Ka dështuar përpjekja e 27-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, kjo pasi nuk pati vota të mjaftueshme për formimin e komisionit për votim të fshehtë.
Kanë qenë gjithsej 99 deputetë në sallë, ku 50 prej tyre votuan për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Kryesuesi Avni Dehari e ndërpreu seancën, duke thënë se vazhdimi i seancës do të mbahet më 7 qershor, në orën 11:00, raporton Zeri.info.
Janë Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), AAK-Nisma dhe Lista Serbe, të cilat po e kundërshtojnë votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Çështja e votimit të fshehtë – që u propozua më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post, është dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Ato thonë se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë dhe i kanë kërkuar Kushtetueses të marrë “një masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe ta marrë një vendim”.
Seancat e dështuara po mbahen çdo 48 orë, sipas Rregullores së Kuvendit.
Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.
Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet qeveria e re.