Mbi 1 mijë euro është shuma që një pacient i shtrirë në Klinikën Infektive shpenzon për rreth 1 javë për shërimin nga Covid-19.
Familjarë të një pacienti që është i shtrirë në Infektive, në kushte anonimiteti, kanë treguar se vetëm për ilaçin ‘Remdesivir’ kanë shpenzuar rreth 900 euro.
“Koha” gjatë së shtunës ka pyetur në disa barnatore për çmimin e këtij ilaçi. Edhe më tutje një ampulë kushton nga 120 deri në 200 euro, derisa në llojin tabletë kushton rreth 75 euro. Ani pse ditë më parë Autoriteti i Konkurrencës ka nisur hetimet, pasi që një ampulë e tillë në Kosovë përmes doganës hyn me çmim prej 45 euro, raporton KOHA.
Pacientët kanë treguar po ashtu se çdo ditë u duhet të blejnë edhe barin ‘Medaxone’, e që një ampulë kushton 8 euro në barnatoret në Kosovë. Po ashtu edhe analiza D-dimer, e cila u kërkohet vazhdimisht pacientëve që janë të infektuar me Covid, nuk bëhet në QKUK, e që në laboratorët privatë çmimi është rreth 20 euro.
Infektologët në këtë klinikë kanë thënë se shumica e barnave janë aty.
“Ne nga lista esenciale e barnave mendoj që i kemi të siguruara barnat, por ka barna që megjithatë pacientët qoftë që janë jashtë listët esenciale duhet t’i blejnë por që shumica e barnave janë të siguruar nga ne”, tha Salih Ahmeti, infektoloh.
Të njëjta ankesa për mungesën e barnave, kanë edhe familjarët e pacientëve që po trajtohen tashmë në objektin e Mjekësisë Sportive dhe se kushtet e dobëta ekonomike po u sjellin vështirësi të shumta.
Por ata kanë thënë se për dallim prej klinikave të tjera, kushtet në këtë objekt janë më të mira.
E në një përgjigje nga SHSKUK-ja kanë thënë se kanë furnizuar të gjitha klinikat me barnat që përdoren për trajtimin e virusit, por që as nuk kanë mohuar e as pohuar se klinikat kanë mbetur pa barna. Tutje, nga ky institucion kanë thënë se për shkak të shpenzueshmërisë së lartë, disa artikuj janë ende në procedurë të prokurimit.
Derisa kanë treguar se për sigurimin e ilaçeve ‘Remdesivir’ dhe ‘Favipiravir’, procedurat e prokurimit është duke i udhëhequr Ministria e Shëndetësisë.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj kishte premtuar se “remdesiviri” do të sigurohet falas për pacientët, pavarësisht që Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar të mos përdoret.