Përfaqësuesi i sovranistëve kroatë në Parlamentin e Kroacisë, Marijan Pavliçek, ka thënë të mërkurën se nga tetori i vitit 2022, shumë shtetas kroatë, të cilët janë edhe shtetas të Serbisë, kanë marrë ftesa për rekrutim në lidhje me mobilizimin e mundshëm të Ushtrisë së Serbisë nëse ka luftë në Kosovë, raporton “Oslobodjenje.ba”.
“Në mesin e atyre që kanë marrë ftesa për mobilizim janë edhe punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kroacisë, policë kroatë. Me sa dimë, të paktën 15 policë kroatë nga administrata policore e Osijek-Baranjës dhe Vukovar-Srijem kanë marrë ftesa, pasi kanë shtetësi të dyfishtë”, ka thënë Pavliçek në një fjalim në Kuvend.
Ai thotë se kanë informata se një polic kroat që ka edhe shtetësi serbe i është përgjigjur ftesës dhe ka rënë në kontakt me Ushtrinë e Serbisë dhe ka marrë udhëzimet se si duhet të sillet në rast mobilizimi.





