Mëditjet për pjesëmarrje në seanca e komisione parlamentare, kompensimi për derivate, shujta ushqimore e mbushje telefonike – të gjitha krahas pagës së deputetit – po shihen si benefite jonormale përderisa Kuvendi s’përmbush agjendën legjislative, nga monitoruesi i punës së Kuvendit, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
Në një deklaratë për KosovaPress, Cakolli ka thënë se Kryesia e Kuvendit duhet të shfuqizojë vendimin për përfitimet e parlamentarëve qysh në mbledhjen e ardhshme.
“Qysh në mbledhjen e parë të Kryesisë së Kuvendit, kurdo që e njëjta do të mbahet gjatë javës së ardhshme, të merret vendimi për të shfuqizuar vendimin e vitit 2011 që përcakton këto beneficione. Nëse veçse ka interes që të vazhdohet me subvencionim të tyre të paktën të ketë mekanizma më të rreptë të kontrollit. Ajo çka kemi parë, deputetët edhe mund të vijnë në seancë dhe të nënshkruhen, por pastaj dalin. Ata në këtë formë përveçse marrin mëditje për pjesëmarrje, ata kompensohen edhe për transportin dhe shpenzime të tjera që mund të kenë gjatë ditës”, ka thënë ai.
Ai e ka parë joserioz edhe qëndrimin e Grupit Parlamentar të Lëvizës Vetëvendosje se tani e tutje do të tërhiqen nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit. Cakolli thotë se po të kishte pasur interes që këto mjete financiare të kthehen, nuk do të ishin marrë fare.
“Po të kishte pasur interes që të kthehen këto mjete që janë marrë nga ana e deputetëve, nuk ishin marrë në radhë të parë fare. Duke marrë parasysh performancën e Kuvendit në ushtrimin e funksionit të tij dhe duke përfshirë një pjesë të madhe të deputetëve që ishin pjesë e këtyre listave të pagesave, ato janë krejtësisht të paarsyeshme. Pasi nga qindra, mijëra euro që kanë marrë deputetët për të kompensuar derivatet e tyre, nuk është përkthyer në punë në Kuvend. Shumica e pikave të rendit të ditës, qofshin më mbledhje të Kuvendit apo komisione parlamentare kanë dështuar pikërisht në mungesë të kuorumit. Zakonisht ka pasur një numër të madh të deputetëve, duke përfshirë edhe ata që ishin pjesë e këtyre listave që nuk kanë marrë fare pjesë në seanca. Kjo përbën përveç papërgjegjësisë edhe keqpërdorim të parasë publike. Nuk është normale që dikush të paguhet aq shumë dhe mjete t’i dedikohen për të kryer një punë që është i obliguar edhe në bazë të Kushtetutës. Po të kishim mbase një performancë më të mirë të deputetëve nuk do të ishte aq problematike kjo çështje. Por kur shihet se Kuvendi çalon si në përmbushje të agjendës legjislative, nuk ka mbikëqyrje efektive parlamentare dhe gjitha të tjerat dhe krahasohen me shpenzimet që deputetët i kushtojnë buxhetit të vetit, atëherë kjo e bënë situatën të papranueshme”, ka thënë ai.
Sipas tij, duhet adresuar masa disiplinore për të gjithë deputetët që kanë inskenuar vendbanime për të shfrytëzuar të drejtën e kompensimit të derivateve. Zgjidhja ideale për çështjen e benefiteve të deputetëve është përmes ndryshimit të rregullores, ka thënë ai.
Cakolli ka thënë se duke përllogaritur pagën bazë dhe benefitet tjera, një deputet fiton në muaj sa dhjetëfishin e pagës mesatare në Kosovë.