Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës (PK), kolonel Gazmend Hoxha, i shoqëruar nga drejtori i Departamentit të Hetimeve, Agron Nezaj, drejtori i Departamentit të Njësive Speciale, Mentor Shabani, dhe drejtori i Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor, Arben Paçarizi, realizuan një vizitë dy-ditore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Republikës së Kroacisë.
Policia e Kosovës njofton se vizita filloi me një takim bilateral të realizuar ndërmjet drejtorit Hoxha dhe drejtorit gjeneral të Policisë Kroate, Nikola Milina, për të vazhduar pastaj me një sërë takimesh të përbashkëta, si me zëvendësdrejtorin e Policisë së Kroacisë, Damir Bariç, dhe drejtorët e departamenteve e drejtorive të të dy policive.
Siçbën të ditur Policia, gjatë takimeve të përbashkëta u diskutuan tema të rëndësishme në fushën e rendit dhe sigurisë publike, në fushën e hetimit dhe luftimit të krimit të organizuar dhe terrorizmit, luftimit të krimit transkufitar dhe migrimit të paligjshëm, si dhe në fushën e krimeve të luftës, krimeve kibernetike dhe bashkëpunimit ndërkombëtar — diskutime këto që synojnë rritjen e bashkëpunimit dhe avancimin e mëtejmë ndërinstitucional, thuhet në njoftim.





