LAJME

Deklarim i pasaktë për shmangie të TVSH-së, Dogana zbulon barnat në vlerë afër 50 mijë euro

Deklarim i pasaktë për shmangie të TVSH-së, Dogana zbulon barnat në vlerë afër 50 mijë euro
TV Prizreni
TV Prizreni
16 Janar 2026, 10:32

Dogana e Kosovës ka zbuluar një rast të deklarimit të pasaktë të mallrave me qëllim shmangien e pagesës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).

Sipas njoftimit, më 16.01.2026, në Zyrën e Brendshme Doganore në Prishtinë është paraqitur për kontroll një dërgesë mallrash, e cila ishte deklaruar si lëndë e parë për prodhim.

Megjithatë, gjatë verifikimit dokumentar dhe ekzaminimit fizik të dërgesës, zyrtarët doganorë kanë konstatuar mospërputhje mes përshkrimit të deklaruar dhe gjendjes faktike të mallit.

Vlera totale e mallrave të përfshira në këtë rast thuhet se kap shifrën prej rreth 49 mijë eurosh.

“Gjatë ekzaminimit të detajuar, përfshirë kontrollin e origjinës, sasisë, formës së paraqitjes dhe karakteristikave të tjera, është konstatuar se mallrat nuk përbëjnë lëndë të parë, por janë produkte farmaceutike të gatshme, të paketuara për shitje me pakicë. Me këtë veprim, është tentuar shmangia e pagesës së TVSH-së, si dhe nuk është paraqitur dokumentacioni shtesë përkatës, përfshirë certifikatën për import të produkteve farmaceutike të gatshme” – thuhet në komunikatën e Doganës të publikuar në “Facebook”.

Dogana ka bërë të ditur se rasti përbën kundërvajtje doganore, në përputhje me legjislacionin në fuqi, për shkak të deklarimit të pasaktë të të dhënave doganore me qëllim shmangien e detyrimeve fiskale.

Autoritetet kanë theksuar se mbeten të përkushtuara në ruajtjen e funksionit rregullator dhe fiskal të shtetit, në mbrojtjen e shëndetit publik dhe në parandalimin e keqpërdorimeve gjatë importit të produkteve farmaceutike.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika