Çmimet e naftës tejkaluan shumën prej 123 dollarësh për fuçi të enjten në mëngjes (30.04.2026), çmimi i tyre më i lartë që nga viti 2022, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, po shqyrton mundësinë për zgjatjen e bllokadës ndaj porteve iraniane, raporton CNN.
Nafta e papërpunuar brent, referenca globale, është rritur për më shumë se 12% të enjten në mëngjes, duke shkuar në 126 dollarë në një moment. Nafta e papërpunuar WTI, referenca amerikane, u rrit me më shumë se 3%, duke tejkaluar 110 dollarë për fuçi.
Ngritja e fundit vjen ndërsa çmimi mesatar kombëtar i gazit në SHBA arriti nivel rekord katërvjeçar prej rreth 4.23 dollarësh, sipas të dhënave të AAA-së, si rezultat i çmimeve marramendëse të energjisë të shkaktuara nga lufta SHBA-Iran, e cila i ka rritur çmimet me mbi se 27%.
Çmimet globale të naftës së papërpunuar janë rritur ditëve të fundit, ndërsa negociatat kokë më kokë midis SHBA-së dhe Iranit u ndërprenë, duke e mbajtur praktikisht të mbyllur Ngushticën e Hormuzit – një kanal kritik i transportit të naftës dhe gazit. Në një takim ndërmjet presidentit Trump dhe këshilltarëve kryesorë, shefi i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se dëshiron që të vazhdojë bllokada detare amerikane e porteve iraniane, kanë thënë për televizionin CNN burime të informuara me bisedimet, dhe ekipi i tij ka filluar të hedhë themelet për vazhdim bllokade, duke përfshirë mbylljen afatgjatë të Ngushticës së Hormuzit.
Vandana Hari, themeluese e firmës së analizës së tregut të energjisë, “Vandan Inishgts”, ka thënë se çmimet e naftës “nuk kanë ku të shkojnë përveçse të rriten” derisa të shfaqet në horizont rihapja e ngushticës.
“Për momentin, si dhe kur mund të ndodhë kjo nuk po dihet”, ka thënë ajo, duke shtuar se disa javë të tjera bllokimi nuk do t’i pëlqejnë presidentit Trump.
Irani ka hedhur poshtë ndikimin e bllokadës detare amerikane. Qeveria iraniane thotë se nuk ka “asnjë shqetësim” për furnizimin dhe shpërndarjen e qëndrueshme të karburantit.
“Armiku nuk do të arrijë asgjë përmes një bllokade detare të Iranit”, ka deklaruar ministri iranian i Naftës, Mohsen Paknejad, i cili i ka kërkuar publikut të ulë konsumin ndërsa vendi po nis një fushatë të gjerë për kursimin e energjisë.
Megjithatë, mundësia e përshkallëzimit të mëtejshëm ushtarak në Lindjen e Mesme i ka vënë tregtarët në gjendje gatishmërie, ka theksuar Janiv Shah, nënkryetar i tregjeve të naftës në “Rystad Energy”./Kallxo.com