Vlora Çitaku deputete e PDK-së ka thënë se kryeministri Kurti nuk e ka opsion vetëm PDK-në për çështjen e presidentit.
Ajo ka thënë se zgjedhja e presidentit është moment i rëndësishëm për demokracinë parlamentare.
Ka shtuar se kanë kërkuar nga Kurti të formalizojë kërkesën e tij ndaj kësaj partie përmes një letre të shkruar, porse deri tash nuk kanë marrë asgjë.
“Ne kemi deklaruar që kjo çështje duhet të trajtohet me seriozitetin që i takon, dhe jemi kërkuar nga Kurti që të formalizojë kërkesën e tij karshi PDK-së në një letër të shkruar, deri në këtë moment një letër e tillë nuk ka ardhur në adresën tonë, ndoshta do të ketë adresa tjera”, ka thënë ajo.
Duke folur për projektligjin për Byronë për konfiskim të pasurisë, Çitaku ka thënë se për një kohë të gjatë është munduar që skena politike të ndahet mes atyre që janë për rend dhe ligj dhe të tjerëve.
Ka thënë se PDK-ja është parti shtetformuese dhe do të angazhohet që përmes nismave të reja ligjore të fuqizojë rendin dhe ligjin në vend.
Ka shtuar se ligjet që miratohen duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën por edhe me Komisionin e Venecias.
“Ne do të japim kontribut që ky ligj të jetë në përputhje me këto që përmenda”,ka thënë ajo.
Qëndrimin e partisë, lidhur me këtë ligj ka thënë se do ta bëjnë të ditur në seancë.
“Kosova ka mekanizma të mjaftueshëm që të ndjekë secilin që është pasuruar jashtëligjshëm. Por jemi kundër që me ligje të tilla që janë shumë të rëndësishme të bëhen lojëra të ulëta politike”, ka thënë ajo./KOHA