Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, e ka cilësuar të turpshëm dhe të papranueshëm vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve në rastin për pengim të drejtësisë.
Gjykata Speciale të martën ka shpallur aktgjykimin në këtë rast, duke e dënuar Thaçin me 17 muaj burgim. Me vendim të gjykatës, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u dënuan me nga 12 muaj burgim, Hajredin Kuçi me një muaj burgim me kusht, ndërsa Isni Kilaj u shpall i pafajshëm.
Në një deklarim për media, Çitaku ka shprehur zhgënjimin dhe shqetësimin e PDK-së lidhur me këtë vendim, duke vënë në pikëpyetje paanshmërinë e Gjykatës Speciale.
“Për Partinë Demokratike të Kosovës, ky vendim është i turpshëm dhe i papranueshëm. Nuk ka asgjë më shqetësuese për drejtësinë sesa kur vendimet e saj pushojnë së befasuari, sepse besimi në paanshmërinë e saj është cenuar thellë. Shprehim zhgënjimin dhe shqetësimin tonë të thellë për vendimin e sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve në procesin për pengimin e drejtësisë…Drejtësia nuk mund të ketë dy standarde, një për ata që gjykohen dhe një tjetër për ata që gjykojnë. Padrejtësisë në Hagë do t’i përgjigjemi ashtu siç e meriton: me qëndresë, me mobilizim dhe me përkushtim të palëkundur shtetëror e mbarëkombëtar, me veprime konkrete politike, juridike e diplomatike dhe me vendosmëri deri në fund”,ka deklaruar Çitaku.
Duke folur për nismën e re ligjore dhe projektligjin që ndërlidhet me Dhomat e Specializuara, Çitaku ka thënë se qëllimi i tyre nuk është shmangia nga drejtësia apo shuarja e Gjykatës Speciale, por kthimi i saj, sipas saj, në mandatin për të cilin është themeluar.
Çitaku ka folur edhe për nevojën e unitetit politik rreth kësaj çështjeje, duke përmendur edhe kundërshtimet politike mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
“Nisma e re ligjore dhe ligji që është tashmë në Kuvend nuk e ka për synim – kjo është shumë e rëndësishme të nënvizohet – as shmangien nga drejtësia dhe as shuarjen e Gjykatës Speciale. Nisma e re ligjore ka për synim që ta kthejë në binarë të drejtë një mekanizëm gjyqësor, të cilin e ka themeluar Kuvendi i Kosovës, mirëpo i cili ka devijuar, ka devijuar tërësisht si nga mandati, ashtu edhe nga arsyeja pse është themeluar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
…Ka pasur një unitet në Kuvendin e Republikës së Kosovës rreth këtij ligji, unitet që reflekton një vetëdije të lartë politike dhe kombëtare. Lëvizja Vetëvendosje ka qenë kundërshtari ynë politik edhe ditën kur e kemi deponuar ligjin dhe ditën kur e kemi miratuar, është edhe sot, por kjo nuk do të thotë që edhe kundërshtarët më të mëdhenj politikë nuk duhet të bashkohen rreth një vlere që është shumë më e madhe se një parti politike, shumë më e madhe se një cikël zgjedhor. UÇK-ja është një institucion në vetvete dhe UÇK-ja do të na bashkojë sërish”, është shprehur Çitaku.
Ndërkaq, e pyetur për procesin e brendshëm zgjedhor në PDK, ajo ka bërë të ditur se partia do të hyjë në një cikël të rregullt zgjedhor, duke sqaruar se nuk do të ketë kuvend të jashtëzakonshëm.
“Nuk do të jetë kuvend i jashtëzakonshëm, por PDK-ja do të hyjë në një cikël të rregullt zgjedhor. Cikli i rregullt i brendshëm zgjedhor nënkupton zgjedhjet nga niveli i nëndegëve, pastaj i degëve, pastaj i delegatëve që përfaqësohen në konventë dhe, në fund, mblidhet konventa e partisë që zgjedh Këshillin Drejtues dhe kryetarin apo kryetaren e re të Partisë Demokratike të Kosovës…Por më lejoni të nënvizoj se prioriteti i parë i PDK-së është miratimi i ligjit dhe miratimi i një varg vendimesh. Disa prej tyre tashmë janë marrë në kuadër të grupit strategjik që është themeluar nga institucionet e Kosovës”,ka deklaruar ajo.





