Një aksion simbolik është mbajtur të martën para zyrave të Bashkimit Evropian në Kosovë, pas dënimit të ish-presidentit Hashim Thaçi me 17 muaj burgim për vepra penale që lidhen me pengimin e drejtësisë.
Përmes këtij aksioni, Çlirim Haziri ka kundërshtuar ato që i ka cilësuar standarde të dyfishta në trajtimin gjyqësor të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët janë gjykuar në Hagë.
Haziri ka deklaruar se aksioni nuk synon kundërshtimin e drejtësisë, por mbrojtjen e parimeve të saj. Ai ka ngritur shqetësime lidhur me respektimin e të drejtave themelore të njeriut, garancive procedurale dhe standardeve ndërkombëtare për një gjykim të drejtë.
“Ky aksion i joni nuk është kundërshtim ndaj drejtësisë. Përkundrazi, është një qëllim në mbrojtje të saj. Ne besojmë se drejtësia nuk mund të jetë selektive, nuk mund të udhëhiqet nga paragjykimet dhe as të zbatohet me standarde të ndryshme varësisht nga kombësia, historia apo përkatësia politike e të akuzuarve. Rasti i Hashim Thaçit dhe të tjerëve ka ngritur shqetësime serioze për respektimin e të drejtave themelore të njeriut, garancive procedurale dhe standardeve ndërkombëtare për një gjykim të drejtë, të paanshëm dhe brenda një afati të arsyeshëm”, ka deklaruar Haziri.
Ai i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesve të tij në Kosovë që të reagojnë ndaj shqetësimeve të ngritura, duke kërkuar zbatimin e standardeve të njëjta të drejtësisë për të gjithë.
Gjatë aksionit është vendosur edhe një baner, përmes të cilit janë krahasuar dënimet e ish-udhëheqësit politik serb Vojislav Sheshel dhe ish-presidentit Hashim Thaçi.
Haziri ka pretenduar se Thaçi është dënuar 12 vjet më shumë se Shesheli, duke e paraqitur këtë krahasim si argument për trajtim të pabarabartë. Ai ka përmendur edhe dënimet e shqiptuara ndaj Sheshelit për pengim të drejtësisë.
“Përgjatë proceseve të tij gjyqësore, ai pati edhe tri aktakuza të tjera për pengim të drejtësisë, ku edhe u vërtetuan. Ai në aktakuzën e parë u dënua me 15 muaj burgim. Pra, u dënua dy muaj më pak se Hashim Thaçi, i cili thuhet se tentoi ta pengonte drejtësinë. E pasi që e përsëriti veprën, u dënua me 18 muaj, e pastaj kur e përsëriti përsëri për herën e tretë, u dënua me dy vite burgim. Pra, dënimi i Sheshelit, motra dhe vëllezër, në tërësi është 14.9 vite burg për krimet kundër njerëzimit dhe për shkeljet e tij e pengimin e drejtësisë”, ka deklaruar Haziri.
Duke iu referuar aktgjykimit të shpallur sot ndaj Thaçit, Haziri ka theksuar se kërkesa e tyre nuk është që të akuzuarit të gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, por që të garantohet barazia para ligjit, pavarësisht përkatësisë kombëtare.
“Ne nuk po kërkojmë imunitet për askënd. Nuk po kërkojmë që krimet të mbeten pa u ndëshkuar. Po kërkojmë barazi para ligjit dhe standarde të njëjta të drejtësisë pavarësisht përkatësisë kombëtare të të akuzuarve. Sepse drejtësia që kërkon llogari vetëm nga njëra palë, ndërsa krijon perceptimin e standardeve të ndryshme për palën tjetër, nuk mund të fitojë besimin e qytetarëve. Drejtësia ose është e barabartë për të gjithë, ose parimi i saj vihet në pikëpyetje e këtë nuk do ta lejojmë”, ka përfunduar Haziri.
Ish-presidenti Hashim Thaçi është dënuar sot, më 17 nëntor 2026, me 17 muaj burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në rastin që lidhet me pengimin e administrimit të drejtësisë./KP