LAJME

Çitaku kritikon Qeverinë për mosprocedim të ndryshimeve në Ligjin për Specialen

Çitaku kritikon Qeverinë për mosprocedim të ndryshimeve në Ligjin për Specialen
TV Prizreni
TV Prizreni
30 Shtator 2026, 09:59

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për rendin e ditës në mbledhjen e tretë, që pritet të mbahet të mërkurën. Ajo ka thënë se Qeveria po e pengon ndryshimin e Ligjit për Specialen.

PDK-ja ka dorëzuar në Kuvend dhe Qeveri propozimet për ndryshim të këtij ligji, duke synuar që çështjet që nuk lidhen me akuzat për trafikim organesh, të barten në Kosovë, për shkallët e tjera të gjykimit. Inicimi u bë pas dënimit nga Specialja me 81 vjet burgim për katër udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Çitaku ka shkruar në Facebook se “çdo ditë vonesë e rëndon përgjegjësinë” e kryeministrit dhe ministrave.

“Sot, në komisionet e Kuvendit po përshpejtohet shqyrtimi i një numri të madh projektligjesh të Qeverisë, shumë prej tyre për sektorin e drejtësisë. Pa analizën e duhur, pa debat substancial dhe pa dëgjime publike. Drejtësia nuk reformohet duke shmangur shqyrtimin parlamentar. Ky nxitim ngre dyshime serioze se ligjet po i përshtaten agjendës politike të pushtetit. Ndërkohë, projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara mbahet në sirtarin e ministres, nën arsyetimin e “ekspertizës juridike”. Për ligjet e tjera, procedura të përshpejtuara. Për mbrojtjen e UÇK-së, zvarritje! Donikë, Albin dhe zyrtarë përgjegjës: mos e pengoni këtë projektligj. Procedojeni menjëherë në Kuvend. Dëgjojeni popullin që tash e 15 ditë është në shesh. Çdo ditë vonesë vetëm sa ka për ta rënduar përgjegjësinë tuaj. Dhe më besoni: dita e llogaridhënies do të vijë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika