KB Bashkimi ka shkruar historinë duke fituar për herë të parë Superkupën e Kosovës në basketboll, pasi në finalen e zhvilluar në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec ku mposhti KB Trepçën me rezultat 103:93, pas vazhdimeve.
Në këtë ndeshje ishte i pranishëm edhe zëvendësministri në Ministrinë e Sportit dhe Rinisë, Sejnur Veshall, i cili mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së medaljeve.
Veshall e cilësoi finalen si një ndeshje të jashtëzakonshme, me shumë emocione dhe luftë sportive, duke theksuar se për të ishte nder të merrte pjesë në një moment historik për Bashkimin dhe qytetin e Prizrenit.
“Për shkak të përgjegjësive të mia, pata nderin t’i ndaj medaljet në këtë ditë historike për Bashkimin dhe qytetin e Prizrenit. Ishte një moment i çmuar, jo vetëm për mua, por për gjithë qytetin që jeton me sportin dhe e përjeton atë si pjesë të identitetit të tij”, ka shkruar Veshall.
Ai ka falënderuar Trepçën për paraqitjen dhe ka uruar Bashkimin për suksesin.
“Faleminderit Trepçës për lojën e bukur dhe urime Bashkimit për këtë ditë të veçantë”, ka deklaruar Veshall.
Finalja ishte tejet dramatike, pasi koha e rregullt përfundoi 87:87, ndërsa në pesë minutat e vazhdimit Bashkimi mori kontrollin e ndeshjes dhe triumfoi 103:93. Me këtë fitore, skuadra prizrenase fitoi për herë të parë trofeun e Superkupës së Kosovës.