Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi për certifikimin grupit të tretë me 39 subjekte politike, prej të cilave 25 iniciativa qytetare dhe 14 kandidatë të pavarur, për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale.
Ndërkaq, dy subjekte politike që ishin paraparë të merrnin miratimin për certifikim sot, nuk kaluan. “Lidhja për Prishtinën” dhe “Lëvizja për bashkimin e shqipëtarëve” nuk u certifikuan.
Anëtari i KQZ-së nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Sami Hamiti, tha se emërtimi i iniciativës qytetare “Lidhja e Prishtinës”, është në kundërshtim me parimet e certifikimit të subjekteve politike, pasi, sipas tij, ky emërtim është shumë i ngjashëm me brendin dhe identitetin historik të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Ai theksoi se “Lidhja e Prishtinës” është përdorur nga vetë LDK-ja në të kaluarën, konkretisht në zgjedhjet e vitit 2017, ku ka qenë pjesë e komunikimit zyrtar të partisë në faqen e saj.
“Lidhja e Prishtinës është brend dhe pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës…është sinonim i asaj që e kemi pasur ne, këtë emërtim apo këtë brend, e kemi pasur në zgjedhjet 2017-ës si pjesë në faqen zyrtare të Lidhjes Demokratike. Nëse kësaj radhe ka ardhur Lidhja e Prishtinës, si e tillë për tu certifikuar, ju e dini që në vitin 2021 e kemi pasur të njëjtin rast me Drenasin. Dekada e Re për Drenasin, është shqyrtuar dhe nuk është certifikuar, është rasti i njëjtë…Në aspektin fonetik e ka vetëm një dallim Lidhja e Prishtinës dhe për Prishtinën te lidhësja. Në aspektin semantik asgjë nuk ndryshon”, tha Hamiti.
Lidhur me këtë, drejtori i zyrës për regjistrim, certifikim dhe kontrollin financiar të partive politike në KQZ, Besnik Buzhala, u shpreh se megjithëse në fillim kanë pasur dyshime serioze për emërtimin “Lidhja e Prishtinës”, pas shqyrtimit të thelluar ligjor dhe praktik, kanë arritur në përfundimin se nuk ka bazë ligjore për ta refuzuar certifikimin e këtij subjekti politik.
Megjithatë, pasi u hodh në votim me pesë vota për, një kundër dhe disa abstenime, certifikimi i iniciativës qytetare “Lidhja e Prishtinës” u refuzua.
Po ashtu, Zyra për regjistrim, certifikim dhe kontrollin financiar të partive politike në KQZ, ka tërhequr nga lista iniciativën qytetare “Lëvizja për Bashkimin e Shqipëtarëve”, për shkak të gabimit drejtshkrimor në fjalën “Shqipëtarëve”.
Kundër certifikimit të këtij subjekti u shprehën anëtari i KQZ-së nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj dhe anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi.