Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, Hajrulla Çeku, në një postim në Facebook ka publikuar një raport mbi zbatimin e planit pesë-vjeçar për konsolidimin e infrastrukturës së futbollit në Kosovë, në bashkëpunim me komunat dhe FFK.
“Derisa po i afrohemi fundit të vitit të dytë të Planit, ju informoj mbi dinamikën e ndërtimit e rinovimit të stadiumeve:
- Stadiumi “Fadil Vokrri”, Prishtinë – ka përfunduar rindërtimi i tërësishëm i fushës (sistem hibrid), investim i përbashkët me FFK mbi 1.3 milion euro,
- Stadiumi “Adem Jashari”, Mitrovicë – punimet vazhdojnë sipas planit dinamik, deri tash janë shpenzuar 9 milionë euro,
- Stadiumi i qytetit, Shtime – punimet pritet të përfundojnë brenda pak muajve, vlera totale e investimit 2.42 milionë euro,
- Stadiumi i qytetit, Gjakovë – punimet vazhdojnë sipas dinamikës, kemi zotuar 9 milionë euro për përfundimin e stadiumit,
- Stadiumi “Shahin Haxhiislami”, Pejë – pas hartimit të projektit zbatues, kemi shpallur procedurën e prokurimit për rinovimin/rindërtim e stadiumit në vlerë 19 milionë euro, aktualisht po bëhet vlerësimi i ofertave,
- Stadiumi i qytetit, Gjilan – kemi nënshkruar kontratën për ndërtimin e stadiumit, vlera e ndarë 15 milionë euro, së shpejti shpallet rezultati i vlerësimit,
- Stadiumi i qytetit, Suharekë – kemi nënshkruar kontratën për hartimin e projektit zbatues, në buxhetin 2025-2027 kemi ndarë 4.8 milionë euro për ndërtimin e stadiumit,
- Stadiumi “Liman Gegaj”, Malishevë – ka përfunduar investimi i përbashkët me komunën (MKRS me 500 mijë euro), në proces hartimi i projektit për fazën finale,
- Stadiumi i qytetit, Ferizaj – pas hartimit të projektit zbatues, kemi shpallur procedurën e prokurimit për ndërtimin e stadiumit në vlerë 19 milionë euro, aktualisht në fazën e vlerësimit të ofertave,
- Stadiumi “Përparim Thaçi”, Prizren – pas hartimit të projektit zbatues, kemi shpallur procedurën e prokurimit për zbatimin e punimeve në vlerë 13 milionë euro, aktualisht në fazën e vlerësimit të ofertave,
- Stadiumi i qytetit, Rahovec – në procedurë të kontraktimit të operatorit për hartimin e projektit zbatues, në buxhetin 2025-2027 kemi ndarë 4.75 milionë euro për ndërtimin e stadiumit,
- Stadiumi “Ferki Aliu”, Vushtrri – komuna ka hartuar projektin zbatues të rinovimit të tërësishëm, kemi shpallur procedurën e prokurimit për kryerjen e punimeve, në vlerën totale prej 5 milionë euro, MKRS kontribuon me 4 milionë dhe komuna me 1 milion, aktualisht në fazën e vlerësimit të ofertave,
- Stadiumi i Hogoshtit, Kamenicë – kanë nisur punimet, kemi ndarë 2.1 milionë euro për përfundimin e stadiumit,
- Stadiumi “Rexhep Rexhepi”, Drenas – kemi ndarë 4.5 milionë euro në buxhetin 2025-2027, komuna kontribuon me 1 milion euro, ndërsa procedura e prokurimit për realizimin e punimeve shpallet së shpejti,
- Stadiumet ndihmëse në Komoran, Bërnicë, Gjilan, Raushiq dhe Studençan – punimet pritet të përfundojnë në mesin e 2025,
- Stadiumi i qytetit, Han i Elezit – komuna ka hartuar projektin e rinovimit, kemi zotuar vlerën totale prej 400 mijë euro, procedura e prokurimit shpallet së shpejti
- Stadiumi “Riza Lushta”, Mitrovicë – gjatë 2025 nis hartimi i projektit për rinovimin e tërësishëm dhe sipas vlerës së përcaktuar bëhet ndarja e buxhetit dhe shpallet procedura e prokurimit për zbatimin e punimeve,
- Stadiumi “Zahir Pajaziti”, Podujevë – projekti i rinovimit po hartohet nga komuna, ndërsa në pjesën e parë të 2025 shpallet procedura e prokurimit për zbatimin e punimeve,
- Stadiumi nacional – pas përfundimit të negociimit të kredisë ndërkombëtare, marrëveshja procedohet për ratifikim në Kuvendin e Kosovës, punimet parashihet të nisin në pjesën e dytë të 2025.”, kështu ka njoftuar ministri Çeku, teksa ka shpalosur planin 5-vjeçar për konsolidimin e infrastrukturës së futbollit në Kosovë.





