LAJME

BQK: Raporti i FMN-së njeh progresin në forcimin e kornizës së stabilitetit financiar të Republikës së Kosovës

BQK: Raporti i FMN-së njeh progresin në forcimin e kornizës së stabilitetit financiar të Republikës së Kosovës
TV Prizreni
TV Prizreni
5 Maj 2026, 09:41

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka mirëpritur publikimin e Raportit të Asistencës Teknike të Fondit Monetar Ndërkombëtar “Republic of Kosovo: Financial Sector Stability Review – Follow-up”, të përgatitur nga Departamenti për Tregje Monetare dhe të Kapitalit i FMN-së, pas misionit përcjellës të FSSR-së, të realizuar me kërkesë të BQK-së.

Sipas BQK-së, raporti njeh progresin e rëndësishëm të arritur nga BQK-ja në forcimin e mbikëqyrjes së sektorit financiar, mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, zbatimin e procesit të rishikimit dhe vlerësimit mbikëqyrës (SREP/SRP), testimit të qëndrueshmërisë, politikës makroprudenciale dhe qeverisjes institucionale.

Po ashtu,thuhet se raporti konfirmon se sistemi financiar i Kosovës mbetet përgjithësisht i qëndrueshëm, me banka të mirëkapitalizuara, nivel të ulët të kredive joperformuese dhe rezerva të likuiditetit mbi kërkesat rregullative.

“Raporti i FMN-së thekson se, që nga FSSR i parë, BQK-ja ka avancuar reforma të rëndësishme, përfshirë forcimin e mbikëqyrjes bankare të bazuar në rrezik, avancimin e kornizës së SREP, zbatimin e standardeve rregullative të ndërlidhura me Basel III, si Raporti i Levës, LCR dhe NSFR, si dhe aktivizimin e instrumenteve makroprudenciale. Raporti gjithashtu njeh progresin në vendosjen e kornizës makroprudenciale, përfshirë përcaktimin e Bankave me Rëndësi Sistemike Vendore dhe vendosjen e Shtesës Kundërciklike të Kapitalit” – thekson BQK.

Siç bëhet e ditur, raporti më tej vlerëson progresin e BQK-së në forcimin e aranzhimeve institucionale, kapaciteteve mbikëqyrëse, analizës së stabilitetit financiar dhe kornizave për gatishmëri ndaj krizave, duke ofruar një udhërrëfyes të qartë teknik për fazën e ardhshme të reformave.

“Këto rekomandime do të mbështesin përpjekjet e vazhdueshme të BQK-së për të avancuar më tej efektivitetin mbikëqyrës, monitorimin e rreziqeve sistemike, infrastrukturën e të dhënave, politikën makroprudenciale dhe qëndrueshmërinë e sektorit financiar. BQK-ja shpreh mirënjohjen për Fondin Monetar Ndërkombëtar, Departamentin për Tregje Monetare dhe të Kapitalit, ekipin e misionit të FSSR-së, si dhe donatorët e Fondit për Stabilitetin e Sektorit Financiar (FSSF), mbështetja e të cilëve ka kontribuar në avancimin e asistencës teknike dhe zhvillimit të kapaciteteve në fusha kyçe të stabilitetit financiar” – thuhet në komunikatën e BQK-së.

BQK-ja tutje thekson se mbetet e përkushtuar për zbatimin e reformave në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e Bashkimit Evropian, me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar, forcimin e qëndrueshmërisë institucionale dhe mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit financiar në Republikën e Kosovës.

Raporti i plotë është i disponueshëm këtu: https://www.imf.org/en/publications/technical-assistance-reports/issues/2026/05/01/republic-of-kosovo-technical-assistance-report-financial-sector-stability-review-follow-up-575786/

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika