992 monedha 2 euroshe, në vlerë totale prej 1984 euro, që dyshohet se janë të falsifikuara, janë identifikuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) gjatë procesit të pranimit të tyre nga bankat për një periudhë të caktuar kohore.
Këto para që dyshohet se janë të falsifikuar, janë pranuar prej bankave nga klientët e tyre.
Një ditë më parë, më 29.04.2026, Policia e Kosovës njoftoi se nga BQK-ja është raportuar për një shumë të caktuar të parave të cilat dyshohen si të falsifikuara dhe se ka nisur hetimet për rastin.
Në një përgjigje për KALLXO.com më 30.04.2026, BQK-ja ka thënë se bëhet fjalë për 992 copë monedha të denominimit dy euro, të cilat janë identifikuara gjatë pranimit të tyre në BQK.
“Fillimisht të sqarojmë se paratë e falsifikuara të përmendura që janë dorëzuar në Policinë e Kosovës nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), kanë të bëjnë me 992 copë monedha të denominimit dy (2) euro, të identifikuara nga BQK-ja si të dyshuara si të falsifikuara gjatë procesit të pranimit të tyre nga bankat brenda për një periudhë kohore”- thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Po sipas BQK-së, identifikimi i këtyre parave që dyshohet se janë të falsifikuara janë identifikuar gjatë procesimit të mbi 200,000 copë monedhash 2-euroshe të dërguara në BQK.
“Këto monedha të dyshuara si të falsifikuara janë pranuar nga bankat prej klientëve të tyre për një periudhë të caktuar, ndërsa të njëjtat janë identifikuar nga BQK-ja si të dyshuara, gjatë procesimit të mbi 200,000 copë monedhash të denominimit prej dy (2) euro të dërguara në BQK nga bankat brenda një periudhë të caktuar, si të dyshuara, dhe paraqet një numër të ultë nga numri i monedhave të procesuara”- thuhet në përgjigjen e BQK-së, për KALLXo.com.
BQK thotë se tërheqja nga qarkullimi i këtyre monedhave si të dyshuara hyn në kuadër të masave të rregullta të luftës kundër parave të falsifikuara dhe masave shtesë të ndërmarra.
Policia e Kosovës njoftoi të mërkurën, më 29.04.2026, se një person ka raportuar se nga biznese të ndryshme janë deponuar dhe dorëzuar në BQK një shume e të hollave që dyshohet të jenë të falsifikuara.
Sipas Policisë, lidhur me rastin është njoftuar prokurori, i cili edhe ka urdhëruar fillimin e hetimeve./Kallxo.com