Borxhi publik i Kosovës po vazhdon të rritet muaj pas muaji si rezultat i ndikimit negativ të pandemisë Covid-19 në ekonominë e Kosovës dhe pritet të rritet ende edhe muajve në vazhdim.Vetëm në tremujorin e fundit të këtij viti, borxhi publik i vendit ka arritur ta kapë shifrën e 1.3 miliardë eurove, që në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2019 është për 1.12 për qind më i lartë.
Ndërkaq, si përqindje e të gjithë Bruto Prodhimit Vendor (BPV), borxhi publik këtë periudhë kohore ka arritur në 19.9 përqind nga vetëm 17.4 përqind që ishte më 2019, përcjell Buletini Ekonomik.
Kjo rritje e borxhit publik, sipas raportit më të fundit nga BQK-ja, me titull: “Vlerësimi Tremujor i Zhvillimeve Makroekonomike Nr. 32, Tremujori III/2020”, i atribuohet rritjes së borxhit të brendshëm prej 18.7 përqind (që ka arritur në 934.5 milionë euro), ndërsa borxhi i jashtëm publik ka shënuar rёnie pёr 0.3 përqind dhe ishte 407.3 milionë euro.Në anën tjetër, sipas BQK-së, pjesëmarrja e borxhit të jashtëm publik në gjithsej borxhin publik është zvogëluar në 30.4 përqind, nga 34.2 përqind sa ishte në TM3 2019.Ndryshe, pragu i borxhit publik i paraparë me ligj në Kosovë është 40 përqind e BPV-sё, dhe rrjedhimisht niveli i borxhit publik prej 19.9 përqind e mbanë Kosovën në pozitën e vendit me shkallën më të ulët të borxhit publik krahasuar me vendet e rajonit, vlerëson Banka Qendrore e Kosovës.
“Sidoqoftë, ky nivel i ulët i borxhit publik mund të rritet shpejt në të ardhmen si rezultat ndikimeve negative të pandemisë COVID-19 në ekonominë e Kosovës dhe planeve të qeverisë për ta financuar deficitin buxhetor nëpërmjet borxhit publik”, thuhet më tutje në këtë raport të BQK-së.