Bashkimi Evropian si ndërmjetësuesi kryesor i negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë është duke punuar që të organizojë një takim të nivelit të lartë Kurti-Vuçiq sa më shpejtë të jetë e mundur. Megjithatë ky takim do të caktohet në momentin që pajtohen palët edhe për arritjen e rezultateve konkrete.
“Ne po punojmë të organizojmë një takim në mes të Prishtinës dhe Beogradit në nivelin më të lartë. Kjo mund të ndodh kur dy palët pajtohen për datën, agjendën, por edhe në arritjen e rezultateve të prekshme dhe të qëndrueshme”, kanë thënë burime diplomatike për Tanjug.
Gjithashtu është theksuar se Brukseli nuk dëshiron të organizojë një takim “vetëm për hir të dialogut”, pra pa perspektivën e arritjes së një marrëveshjeje.
Tutje nga Brukseli kanë thënë se emisari i BE-së, Miroslav Lajcak, do të ketë diskutime gjatë kësaj jave me kryeministrin Albin Kurti dhe kryenegociatorin Besnik Bislimi.
Shefi i Diplomacisë së BE-së, Joseph Borell, ka bërë me dije se BE-ja dëshiron një takim të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë para fillimit të pushimeve verore.