Bashkimi Evropian ka thënë se zgjedhjet në katër komunat veriore janë mbajtur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.
Në të njëjtën kohë, BE-ja ka shprehur keqardhjen që jo të gjitha partitë dhe komunitetet e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë dhe votuar në zgjedhje.
Tutje, Bashkimi Evropian ka thënë se puna për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe duhet të finalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna. Kjo mund të ndodhë vetëm përmes kthimit të përhershëm të serbëve të Kosovës në institucione dhe që Kosova ta mundësojë këtë kthim. Puna për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe duhet të finalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Bashkimi Evropian.
“Është e domosdoshme që urgjentisht të rivendosim një situatë ku serbët e Kosovës të marrin pjesë aktivisht në qeverisjen lokale, policinë dhe gjyqësorin në veri të Kosovës. Për këtë ka nevojë urgjente për një dialog serioz ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe serbëve të Kosovës në veri. Deri më tani është bërë pak përparim. Prandaj, ne kemi nevojë që të dyja palët të luajnë rolin e tyre dhe të përmbushin angazhimet e tyre”.
“Pjesëmarrja shumë e ulët, veçanërisht në mesin e qytetarëve serbë të Kosovës, tregon se ky proces nuk konsiderohet dhe nuk mund të konsiderohet si zakonisht. Pjesëmarrja në proceset zgjedhore ka për qëllim të sigurojë që zërat e komuniteteve që përfaqësojnë liderët e zgjedhur do të dëgjohen”.
“Që kur serbët e Kosovës u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të Kosovës në nëntor 2022, BE-ja ka qenë vazhdimisht e angazhuar me të dyja palët për të lehtësuar kthimin e tyre”.
Sipas BE-së, marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është platforma e duhur për të arritur këtë objektiv.