Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, nuk ka dhënë asnjë arsyetim se përse Kosovës nuk po i liberalizohen vizat pavarësisht se Komisioni Evropian ka vendosur tash e tre vjet që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim.
Pas kritikave të liderëve kosovarë për mosliberalizim, në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për MSA-në, Kosovë – BE, Szunyog ka folur shkurt për këtë çështje.
“E dimë sa i rëndësishëm është liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Von Der Leyen (shefja Komisionit Evropian) ka qenë e qartë. Komisioni i qëndron prapa vendimit të korrikut të vitit 2018 që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim. Është mbështetur edhe nga Parlamenti Evropian në lexim të parë, por është në shqyrtim në Këshill. Llogaris në mbështetjen e anëtarëve të Parlamentit Evropian dhe të deputetëve që janë këtu sot që të vazhdojnë të punojnë me Parlamentin Evropian për ta arritur këtë qëllim. Kuvendi ka rol të rëndësishëm që duhet ta luajë në zbatimin e reformave dhe priorietizimin e reformave në sundim të ligjit”, ka thënë ai.





