Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se kanë ndarë 1 miliard euro ndihmë për shtetet e Ballkanit Perëndimor që ta përballojnë krizën energjetike që pritet ta kaplojë rajonin këtë dimër.
Në një konferencë për media të martën pas Samitit në Tiranë, Von der Leyen ka thënë se është shumë e rëndësishme që krizën energjetike ta adresojnë së bashku me partnerët.
“Ju siguroj se mbështetja për rajonin vjen vërtetë nga zemra sepse besojmë thellësisht se duhet të punojmë së bashku. Ky samit ishte një mesazh i të qenit së bashku. Një samit partneriteti me biseda të thella, të qarta, të drejtpërdrejta dhe të sinqerta. Diskutuam shumë tema. Ne dëshirojmë të përballemi me sfidat, siç është kriza energjetike. Për ne është e rëndësishme që së bashku me partnerët ta adresojmë krizën energjetike. Për ne janë të rëndësishme bizneset, të cilave duhet t’u ndihmojmë ta përballojnë krizën. 1 miliard euro ndihma do të ndahen për rajonin për krizën energjetike. Kjo shumë do të ndahet në dy pjesë”, ka thënë ajo, duke shtuar se synojnë që të ndërtojnë edhe një sistem efikas të energjisë në Ballkanin Perëndimor.





