Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci ka deklaruar se kryeministri dhe ministrja Hykmete Bajrami janë intervistuar në lidhje me 53 milionë euro e Bechtel Enka-s, për çka shtoi se ka edhe kallëzim penal për tre zyrtarë dhe një ish-ministër të LDK-së.
Bajqinovci ka akuzuar kryeministrin se ka shkarkuar task-forcën shkaku se Hoti dhe zyrtarët e LDK-së janë hetuar nga e njëjta.Ai gjatë interpelancës së kërkuar në lidhje me shuarjen e kësaj task-force, është përplasur me shefin e ekzekutivit, duke deklaruar se qeveria aktuale ka treguar se luftën më të madhe që ka bërë ndaj krimit është krijimi i ambientit për të bërë krim dhe korrupsion.
“Kjo task-forcë ka hetuar tenderin për targa të nënshkruar nga ministri Veliu. Kjo task-forcë ka bërë kallëzim penal për tenderin e pasaportave-2, të ish-ministrit Skender Hyseni. Bëhet fjalë për 20 milionë euro vlerë të pasaportave dhe letërnjoftimeve. Kjo task-forcë i ka arrestuar inspektorët e Isa Mutafës dhe Avdullah Hotit. Mos harroni, dhe janë dënuar me burg”, ka deklaruar ai.
Mes tjerash, ai tha se kryeministri dhe ministrja Hykmete Bajrami janë intervistuar si dëshmitarë nga kjo task-forcë, për çka shtoi se ka edhe kallëzim penal.
“Ky kryeministër këtu ku është intervistuar, po nga kjo task-forcë me 14 mars, ditë e enjte. Edhe Hykmete Bajrami është intervistuar nga kjo task-forcë nga ditë e hënë, 4 mars. Unë kam qenë në atë kohë gazetar, dhe i kam parë se si kanë shkuar këto. Dhe kjo është hakmarrje, në cilësinë e dëshmitarit. Por, kolegu i tij ka kallëzim penal, ish-ministri. Por, kjo është tipike hakmarrje e LDK-së, nuk po e kontestoj a ka gabime, por qysh u bo kur filloi ofensiva me ju arrestuar, ju dënuan, ua dënuan inspektorët, Naser Osmanin dhe plotë hetime tjera. Ju u quat koka anti-ligjore tash, qysh u bo tash anti-ligjore. Që 10 vjet jeni në pushtet deh tash po del të jeni anti-ligjore”, ka shtuar Bajqinovci.
Sipas tij, krejt kjo hakmarrje lidhet për hetimet, arrestimet dhe dënimet e bashkëpartiakëve të kryeministrit Avdullah Hoti. Për këtë ka reaguar shefi i ekzekutivit, i cili tha se është shqetësuese se nga banka e deputetit, ka deklarime të tilla në lidhje me hetimet nga task-forca.
“Shqetësim është fjalimi yt, a e din pse? Sepse unë jam kryeministër unë nuk kam qasje sepse nuk guxoj sipas ligjit, nuk i di këto informata. Një deputet thotë i kam të dhënat e sigurta nga puna e Task-Forcës, ky është problemi. Një deputet, një njeri i politikës ka qasje të plotë në ato të dhëna. Nëse ke qasje aty, ky është problemi dhe argumenti më i fuqishëm se kjo duhet me u ristrukturua komplet dhe të bëhet në përputhje me ligjin, që të mos ketë qasje as kryeministri, as deputeti, dhe as ministri në punën e Task-Forcës”, tha Hoti.
Për këtë Bajqinovci ka akuzuar Hotin se po shpif, meqë sipas tij të gjithë deklaratat e tij janë publike.