LAJME

Avokati i Popullit kërkon drejtësi nga Dhomat e Specializuara: Askush i pafajshëm të mos pësojë

Avokati i Popullit kërkon drejtësi nga Dhomat e Specializuara: Askush i pafajshëm të mos pësojë
TV Prizreni
TV Prizreni
30 Prill 2026, 11:59

Avokati i Popullit Naim Qelaj në një konferencë për media ka prezantuar raportin “Rishikimi preliminar për Dhomat e Specializuara të Kosovës”, raporton Ekonomie Online.

Ky raport është prezantuar pas shqetësimeve që ishin ngritur lidhur me procesin e gjykimit dhe aspektet e mbajtjes në paraburgim të të akuzuarve në Hagë.

Qelaj ka treguar se ky raport është hartuar nga një organizatë britanike e quajtur “Bar of Human Rights Committee”, e cila është e pavarur dhe ka integritet, meqë Haga s’kishte kthyer përgjigje ndaj autoriteteve kosovare.

“Gjykata ka qëndruar e heshtur. Duke parë këtë mungesë transparence, kemi angazhuar një autoritet të pavarur për të kryer një vlerësim preliminar për shqetësimet. Përzgjedhjen e organizatës e kemi bërë duke marrë parasysh pavarësinë dhe integritetin profesional. Raporti është plotësisht i pavarur, s’kemi pasur asnjë ndërhyrje”, ka thënë Qelaj.

Ai në konferencë ka numëruar të gjitha gjetjet e raportit dhe shqetësimet e konfirmuara.

Si gjetje të parë, Qelaj ka përmendur kufizimin e të drejtave gjatë qëndrimit në paraburgim, ku përfshihet mungesa e mundësive reale për lirim të parakohshëm dhe kufizimi i komunikimeve familjare dhe profesionale.

“Sa i përket paraburgimit dhe kufizimit të të drejtave gjatë qëndrimit në paraburgim, raporti evidenton shqetësime serioze për zgjatjen e paraburgimit, mungesën e mundësive reale për lirim të parakohshëm dhe kufizimin e komunikimeve familjare dhe profesionale me mbrojtjen”, ka thënë ai.

Gjithashtu raporti ngre si shqetësim mbikëqyrjen sistematike të komunikimeve.

Qelaj tregon se edhe gjatë vizitës që vetë kishte zhvilluar, kishte qenë subjekt i incizimit gjatë gjithë kohës nga kamerat e vendosura.

“Raporti tregon se mbikëqyrja sistematike e komunikimeve me të cilat jam ballafaquar edhe unë, sepse në vizitën e vitit 2025 jam vëzhguar nga dy kamera që kanë incicuzar gjatë gjithë kohës, pra raporti konstaton se kjo përbën ndërhyrje në nenin 8”, ka shtuar ai.

Qelaj thotë se Raporti ngrit shqetësime serioze edhe për mungesën e mekanizmave efektiv të mbikëqyrjes demokratike dhe kontrollit institucional.

Raporti, siç tregon Qelaj, ka përmendur si shqetësim edhe diskrecionin e konsiderueshëm që ka kryetarja e Gjykatës Speciale për të emëruar panele, gjë që mund të ndikojë në perceptimin e paanshmërisë.

“Sa i përket standardit për gjykim të drejtë, raporti konstaton se kryetarja e Speciales ka diskrecion të konsiderueshëm për të formuar panele, gjë që mund të ndikojë në perceptim për paanshmërinë. Më tej raporti evidenton shqetësime për konsultimet ndër-institucionale të paraparë me rregulloret dhe mungesën e gjyqtarëve nga Kosova”, ka thënë ai tutje.

Qelaj ka përmendur edhe disa deklarime problematike që janë bërë nga ish-kryeprokurori Jack Smith lidhur me burgimin e përjetshëm dhe deklarimet nga kryetarja e Gjykatës se nëse ish-krerët e UÇK’së lirohen ata përbëjnë rrezik. Këto deklarime përbejnë shqetësime serioze për prezumimin e pafajësisë, integritetin e procesit dhe për lirimin e parakohshëm.

“Konstatimi nga kryetarja e Gjykatës se nëse lirohen këta persona paraqesin rrezik dhe duhet të mbahen në paraburgim ngre shqetësime serioze jo vetëm për prezumimin e pafajësisë por edhe për integritetin e procesit dhe lirimin e parakohshëm”, ka thënë Qelaj.

Ai ka treguar se deklarimet e Smith dhe kryetares së Speciales janë bërë në një takim të tyre me disa diplomatë, e ku s’ka qenë e ftuar fare mbrojtja.

Ai ka përmendur edhe temën e pranimit të provave nga Serbia, duke thënë se raporti ka konstatuar mungesë të transparencës serioze nga ana e Hagës.

“Lidhur me pranueshmërinë e provave nga Serbia, raporti konstaton mungesë transparence serioze, pasi kërkesat e mbrojtjes për zbulim, qasje për origjinën e materialeve mbeten pa vendim publik. Mungesa e çfarëdo vendimi publik përbën shqetësim për transparencën”, ka thënë ai duke cituar raportin.

Qelaj ka kërkuar që drejtësia të vendoset dhe askush të mos dënohet por njëkohësisht askush prej fajtorëve të mos mbetet pa ndëshkuar.

“Tentimi për me i dhënë çfarëdo konotacioni jashtë standardeve, në të cilat sistemi jonë i drejtësisë funksionon.

Meqenëse kjo gjykatë është e Republikës së Kosovës dhe është shqetësim i secilit qytetar të Kosovës, njëkohësisht edhe i imi si avokat i popullit, ne dëshirojmë që drejtësia të vendoset dhe askush i pafajshëm të mos pësojë, por edhe askush i fajshëm të mos mbetet i pandëshkuar.

Unë mendoj se ky raport do t’i ndikojë Gjykatës Speciale në transparencë dhe llogaridhënie më të madhe dhe me i dhënë përgjigje shqetësimeve të ngritura”, tha ai./EO

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika