Dy avokatët e shoferit që ka aksidentuar Hajrush Behlulin, Gent dhe Blend Gjini, në një prononcim për Telegrafin kanë thanë se klientit të tyre i është konfiskuar telefoni celular pa arsye të ligjshme dhe se kjo shkel dispozitat e procedurës penale.
Avokat Gent Gjini dhe avokat Blend Gjini, të cilët janë angazhuar nga i dyshuari për të mbrojtur interesat e tij, kanë thënë se do të ngrenë ankesë për këtë veprim dhe se do të kërkojnë zbardhjen e rastit.
Sipas tyre, vepra penale për të cilën akuzohet klienti i tyre është shkaktimi i aksidentit në komunikacion, dhe nuk ka lidhje me përmbajtjen e telefonit. Ata kanë shtuar se kjo është një rast i paprecedent dhe se ligji dhe praktika gjyqësore nuk e parashikojnë një mundësi të tillë.
“Me të marrur çështjen penale ne jemi befasuar me një situatë që konsiderojmë se shkel dispozitat procedurale penale, në rastin e trajtimit të kësaj çështjeje, kur të mbrojturit tonë i është konfiskuar telefoni mobil e që në anën tjetër vepra penale bën fjalë per shkaktim te aksidentit në komunikacion. T’i merret telefoni dhe t’i konfiskohet përkohësisht, kjo për neve mbrojtjen është e papranuar dhe është joligjore”, thanë avokatët në një përgjigje me shkrim.
“Në procedurat e mëtejme presim që këtë çështje ta ngrisim ne formë të ankesës për të vlerësuar se a është vepruar drejt dhe a ka pasur të drejtë të i merret telefoni celuluar shkaktuesit të aksidentit dhe të kuptohet se çka ka të bëjë çështja e aksidentit me telefon. Pra, ky është rast i paprecedent dhe kur më parë në çështjet penale që kemi përfaqësuar raste të aksidenteve në trafik ligji dhe praktika gjyqësore nuk e parasheh një mundësi të tillë”, thuhet tutje në përgjigjen e avokatëve.
Avokatët thonë se klienti i tyre nuk kishte “kurrfarë motivi” për shkaktimin e këtij aksidenti. Gent dhe Blend Gjini thonë se disa analistë aluduan “pa asnjë argument apo fakt” se aksidenti ishte i qëllimshëm.
“Pasi kjo çështje është përfolur në media dhe është trajtuar si temë nga me të ndryshmet duke e ndërlidhur rastin e një fjalimi te hoxhës Shefqet Krasniqi për kengëtaren Shkurte Fejza, në shprehim shqetësimet nga disa analistë që kanë ndërlidhur dhe shfrytëzuar ngjarjen e aksidentit si diçka e qëllimshme. Pra, kjo për neve avokatëve është shqetesim në vete dhe kjo aspak nuk qëndron sepse ngjarja si e tillë nga shkakutuesi i aksidentit ka qenë e paqëllimshme dhe pa kurfarë motivi dhe thjeshtë ka qenë një pakujdesi si ngjarje të zakonshme që ndodhin sot në komunkiacion. Andaj ne shprehim shqetësimet për menyrën e trajtimit të kesaj ngjarje nga disa analistë vetëm e vetëm për ta vendosur qendrën e vëmendjes dhe të luajnë rolin e “hetuesit” pa qenë të thirrur dhe pa pasur asnjë argument apo fakt lëshojnë këso deklarata të pamatura”, thuhet në përgjigjen e avokatëve.
Avokatët thonë se “do të shikojmë në procedurat e mëtejme penale për zbardhjen e rastit, për të kuptuar se në çfarë përmasash mund të jetë fajtor i mbrojturi ynë”.
Ata thonë se do të mësojnë faktin “se a ka qenë i pakujdessëm këmbësori kur ka dalur në rrugë”, pasi shtojnë se “aty nuk ka pasur vendkalim për këmbësorë apo zebra”./Telegrafi/