LAJME

ATK bën thirrje për përmbushjen e detyrimeve tatimore në kohë: Të ardhurat e realizuara nga kriptovalutat, janë të ardhura të tatueshme

ATK bën thirrje për përmbushjen e detyrimeve tatimore në kohë: Të ardhurat e realizuara nga kriptovalutat, janë të ardhura të tatueshme
TV Prizreni
TV Prizreni
25 Mars 2026, 13:35

Administrata Tatimore e Kosovës, përmes një komunikate për media, u ka rikujtuar të gjithë personave fizikë jo afaristë, personave fizikë afaristë dhe personave juridikë, se janë të detyruar të deklarojnë dhe të paguajnë tatimet, në mënyrë reale dhe në kohë, ashtu siç është përcaktuar me legjislacionin tatimor.

Sipas njoftimit, aktivitetet e ATK-së, në vazhdimësi, do të përqendrohen pikërisht te personat, të cilët nuk i deklarojnë të ardhurat e realizuara dhe nuk paguajnë tatimet.

Me fokus të veçantë, ATK thekson se do të përqendrohet në identifikimin dhe trajtimin e personave, të cilët realizojnë të ardhura nga kriptovalutat.

Sipas ATK-së, detyrimet tatimore për të ardhurat e realizuara nga kriptovalutat, varen nga ajo se çfarë statusi ka personi i cili ka realizuar të ardhurat, si:

  • Nëse statusi i personit që ka realizuar të ardhurat e tilla është Person fizik jo afarist apo Person fizik afarist, duhet të zbatojë dispozitat ligjore të përcaktuara me Ligjin Nr. 05/L-028 për Tatimin në të Ardhurat Personale;
  • Nëse statusi i personit që ka realizuar të ardhurat e tilla është Person juridik, duhet të zbatojë dispozitat ligjore të përcaktuara me Ligjin Nr. 06/L-105 për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave.

Deklarimi dhe pagesa e tatimit për të ardhurat e realizuara nga kriptovalutat, duhet të bëhet sipas normave dhe me formularët si në vijim:

Lloji i tatimit Norma tatimore Formulari tatimor Rubrika në formular
Tatimi në të Ardhurat Personale – TAP
Të ardhurat e tatueshme vjetore nga 0 deri 3,000.00 0% PD – Bizneset Individuale 16
Të ardhurat e tatueshme vjetore nga 3,000.01 deri 5,400.00 8% DI – Individët Përgjigja në pyetjen nr. 7.3
Të ardhurat e tatueshme vjetore nga 5,400.01 e tutje 10%
Tatimi në të Ardhurat e Korporatave – TAK
Të ardhurat e tatueshme vjetore 10% CD – Korporatat 13

“Nëse personi krijon humbje, atëherë për humbjet e tilla mbanë evidenca të veçanta, të cilat duhet të jenë në dispozicion të ATK-së sa herë që kërkohen. Për personat fizikë jo afarist, personat fizikë afarist dhe personat juridikë, të cilët nuk deklarojnë të ardhurat e realizuara dhe nuk paguajnë Tatimet, ATK do të ndërmarrë masat sipas legjislacionit tatimor” – thuhet në njoftim.

Administrata Tatimore e Kosovës, në fund u bënë thirrje të gjithë personave që të deklarojnë të ardhurat e krijuara apo të korrigjojnë sa më parë deklaratat e tyre dhe të përmbushin të gjitha detyrimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika