LAJME

ASK-ja paralajmëron rënie të popullsisë, ja sa banorë pritet të humbë Kosova

ASK-ja paralajmëron rënie të popullsisë, ja sa banorë pritet të humbë Kosova
TV Prizreni
TV Prizreni
23 Nëntor 2026, 14:09

Kosova rrezikon të përballet me një rënie edhe më të madhe të popullsisë sesa parashikimet aktuale, si pasojë e emigrimit, rënies së lindjeve dhe shtyrjes së moshës së martesës. Drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, vlerëson se vendi në dekadat e ardhshme do të përballet me zvogëlim të konsiderueshëm të popullsisë dhe plakje të saj.

Në podcastin “Ekonomia pa filtra”, prodhim i KosovaPress-it, Kastrati thotë se sipas projeksioneve të ASK-së, deri në vitin 2060 Kosova mund të humbë rreth një milion banorë, por shprehet skeptik se rënia do të ndalet në këtë shifër.

Ai thekson dy faktorët kryesorë që po ndikojnë në zvogëlimin e popullsisë janë rënia e shtimit natyror dhe emigrimi.

Intervistën e plotë mund ta ndiqni këtu:

“Kosova po zvogëlohet për shkak dy faktorëve, rritjen natyrore, nuk e kemi, qysh e kemi pasur në fund të viteve ’80, deri në vitin 2007-2008, e kemi pasur një trend, edhe pas luftës, sërish ka pasur. Tani ka një rënie shumë më të shpejtë. Ikja e fuqisë punëtore do të ketë pasoja për ta në aspektin e çështjes sociale, sepse duhet me punuar tre vetë për një pensionist…E bëjmë një parashikim të popullsisë për 10, deri në 40-50 vite…Është shqetësuese sepse pritet që popullsia e Kosovës deri në vitin 2060 me e rënë 1 milion. Kur bjen 1 milion, është shumë vështirë me e stabilizuar, me mbajtur ata, sepse kur s’ka të rinj, nuk ka më fëmijë. Nëse na bjen, supozohet që në vitin 2035, apo 37, numri i lindjeve dhe vdekjeve do të barazohet…Që i bjen, ai shtimi neto nuk ka me pasur Kosova shtim natyror. Edhe kur s’ka shtim natyror, edhe ka emigracioni e kemi negativ, më shumë shkojnë, Kosova pritet me rënë shumë më shpejt. Shtetet që janë të fuqishme në aspektin ekonomik, e zgjidhin përmes migracionit. Kosova nuk e ka luksin, për me marrë popullsinë nga vendet e tjera. Mund me marrë disa çindra ose mijëra. Po nuk vijnë për shembull të rinjtë ose të rejat… Po në anën tjetër nuk do të thotë se duhesh me pasur numër të madh të popullsisë, që me qenë i fuqishëm në aspektin ekonomik, politik, social”, thotë Kastrati.

Kastrati paralajmëron se, përveç emigrimit, në këtë trend po ndikon edhe shtyrja e moshës së martesës.

“Aspekti ekonomik është pak më vështirë me u parashikuar, po aspekti social të që janë pak a shumë në dorën e institucioneve tona edhe aspekti natyral, te popullsia, të ardhmen e shoh që popullsia e Kosovës ka me zvogëluar më shpejt se edhe na që kemi parashikuar. Ne e kemi parashikuar rreth 1 milion në vitin 2060, po unë e vlerësoj që më shumë kemi me u zvogëluar sepse të rinjtë, të rejat jo që që nuk po hyjnë në martesë fare, por ata që po hyjnë e kanë shtyrë moshën e martesës shumë. Tani mosha mesatare e meshkujve është 30, 32 që po hyjnë, e femrat 28. Kur hyjnë në në martesë më herët, ka mundësi me bërë më shumë fëmijë. Ne e kemi dhënë sipas disa kritereve, që Kosova në vitin 2061 do të ketë 1 milion, po unë jam skeptik se do të ketë pak më pak te popullsia. Kosovën e shoh në të ardhmen, në dekadën e ardhshme që një zvogëlim i konsiderueshëm i numrit të popullsisë vit pas viti, edhe plakje të popullsisë”, deklaron Kastrati.

ASK, sipas drejtorit të saj retendon se ka “presion” nga partia në pushtet për sicc thotë publikimin e statistikave për ekonominë.

“Ka më shumë se dy dekada që punoj në statistikë, gjithmonë si pozita, si opozita, debatojnë mbi të dhënat, sepse të dhënat janë instrument për politikbërje, po edhe për me parë domethënë statusin apo gjendjen aktuale edhe për me planifikuar të ardhemn. Si pozita, si opozita shikojnë për të ardhemen  nga me shkuar në bazë të shifrave. Ne i publikojmë ato shifra, ne nuk i komentojmë shifrat tona sepse mandatin e kemi të tillë. Nganjëherë na kritikojnë si pozita, si opozita”, thotë Kastrati.

Sa i përket varfërisë, Kastrati thotë se ASK-ja është duke e përfunduar Anketën e Buxhetit të Ekonomive Familjare, ndërsa në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm pritet të publikohet një raport i ri për varfërinë në Kosovë.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika