Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve I.M., dhe M.M., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, nga neni 272 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Gjithashtu, secili prej tyre akuzohet veçmas për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 i KPRK-së. Ndërsa, i pandehuri K.S., akuzohet për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale” nga neni 380 paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, nën paragrafin 2.8 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, të pandehurit I.M., dhe M.M., në bashkëkryerje, nga një periudhë e pavërtetuar e deri më 2 prill 2026, kanë kultivuar bimën “Cannabis Sativa” në një shtëpi me qira, në Prizren, me qëllim të prodhimit të narkotikëve. I pandehuri. I.M., ka financuar këtë veprimtari, duke blerë pajisjet dhe materialet e nevojshme, ndërsa M.M., është marrë me instalimin e pajisjeve, mbjelljen dhe kultivimin e bimëve narkotike.
“Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, më 2 prill 2026, në këtë shtëpi është zbuluar një laborator i pajisur për kultivimin e kanabisit, ku janë sekuestruar pajisje të shumta për ndriçim, ngrohje dhe ventilim, preparate për rritjen e bimëve, pajisje matëse, pompa, materiale dhe shënime me udhëzime për kultivimin e “Cannabis Sativa”, si dhe gjithsej 706 vazo për kultivimin e bimëve narkotike. Nga ky numër, 450 vazo janë gjetur brenda shtëpisë, ndërsa 256 të tjera në një automjet të parkuar në oborrin e saj. Gjatë kontrollit janë sekuestruar mostra të bimëve, të cilat sipas ekspertizës kanë rezultuar se përmbajnë kanabis. Gjithashtu, më 2 prill 2026, në një deponi në Prizren, janë gjetur mbetje të djegura të bimëve narkotike, të cilat dyshohet se i pandehuri M.M., kishte tentuar t’i asgjësonte.” – thuhet në njoftim.





