Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar në flagrancë një person të dyshuar për veprat penale “Shantazhi” dhe “Ngacmimi”.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari me inicialet S.Q. dyshohet se nga qershori i vitit 2025 deri më 13 gusht 2026, në Prizren dhe përmes rrjeteve sociale, ka kanosur dhe shantazhuar një grua me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.
Dyshohet se i pandehuri, përmes komunikimeve në aplikacionin WhatsApp, i ka bërë presion të dëmtuarës duke e kërcënuar se do të publikonte dhe do t’ua dërgonte familjarëve të saj materiale që, sipas pretendimeve të tij, do t’i cenonin nderin dhe autoritetin.
Sipas hetimeve, përmes këtyre kërcënimeve i dyshuari ka kërkuar dhe dyshohet se ka përfituar mjete financiare në vlerë deri në 50 mijë euro. Prokuroria thotë se e dëmtuara dyshohet se paratë i ka siguruar, ndër të tjera, edhe përmes shitjes së arit të marrë nga nëna dhe familjarët e saj.
Po ashtu, i dyshuari dyshohet se ka vazhduar komunikimet e padëshiruara dhe kërcënuese ndaj të dëmtuarës, duke i shkaktuar asaj frikë dhe shqetësim të madh emocional, si për veten ashtu edhe për familjarët e saj.
Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar 21 mijë e 100 euro, një veturë dhe dy telefona celularë.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokuroria, brenda afatit ligjor, do të vlerësojë paraqitjen e kërkesës për caktimin e masës për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale.
Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se po vazhdon me veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit dhe sigurimin e provave relevante.