Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, konkretisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Prizren, pas pranimit të një informate nga Stacioni Policor në Prizren, për dyshime se në një laborator biokimik në Prizren po lëshohen Teste të falsifikuara, ka filluar me veprime hetimore në koordinim me Inspektorët e Ministrisë së Shëndetësisë.
Gjatë inspektimit të bërë me datë 14.10.2021 në Laboratorin biokimik në fjalë, janë siguruar dëshmi se Laboratori ka lëshuar dy teste (njërin pozitiv e tjetrin negativ) në ditën e njëjtë me datë 06.10.2021, teste Rapid Antigjen SARS-COV-2, të cilat teste dyshohet të jenë të falsifikuara.
Më këto veprime i dyshuari, dyshohet se ka kryer veprën penale: “Falsifikim i Dokumentit” neni 390, i kodit penal të RKS-së.





