Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar një person nga komuna e Prizrenit, i dyshuar për veprën penale kanosje dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se rasti ka ndodhur në fshatin Zojz të komunës së Prizrenit, ku rasti është paraqitur në polici si dhunë në familje pasi që i dyshuari pas një mosmarrëveshje familjare ka lënduar fizikisht gruan dhe djalin e tij.
Sektori i hetimeve të Stacionit Policor Prizren Veri, gjatë hetimit të rastit ka gjetur prova se i dyshuari posedon edhe armë pa leje dhe gjatë kontrollit ne shtëpinë e tij është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale këto armë: një AK47, dy granata dore, një raketa hedhes, dy predha të raketa hedhësit dhe katër fishek.
Prokurori i shtetit ndaj të dyshuarit ka lëshuar masën e ndalimit për 48 orë dhe ndaj tij do të ngritët kallëzim penal për veprat penale të lartpërmendura.



