LAJME

Arrestohen dy persona për posedim të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje në Prizren

Arrestohen dy persona për posedim të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje në Prizren
TV Prizreni
TV Prizreni
23 Prill 2026, 10:57

Dy persona janë arrestuar në Prizren, pasi dyshohen për posedim të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje.

Arrestimi i tyre njoftohet se është kryer në kuadër të një hetimi disa mujor për veprat penale, të cilat dyshohet se i kanë kryer.

Policia bën të ditur se fillimisht, me vendim të gjyqtarit është realizuar kontroll në një shtëpi dhe dy lokale që dyshohet se përdoreshin nga dy të dyshuarit për paketim, shitje dhe shpërndarje të substancave narkotike të llojit kokainë.

Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme të substancës së dyshuar narkotike, përfshirë 13 qese najloni me kokainë me peshë rreth 336.92 gram, një kavanoz me substancë të ngjashme me peshë rreth 115.15 gram, si dhe qese të zbrazëta me mbetje të drogës.

Po ashtu, janë gjetur dhe sekuestruar edhe pajisje të ndryshme që dyshohet se janë përdorur për përpunimin dhe paketimin e substancave narkotike, si peshore digjitale, gërshërë, thikë, foli, si dhe një sasi parash në kartëmonedha.

Në kuadër të kontrollit janë sekuestruar edhe dy pistoleta, njëra me karikator të zbrazët dhe tjetra e çmontuar, pa karikator, si dhe një motoçikletë, dy telefona mobil, një çelës me dy hallka dhe një shishe qelqi me substancë të dyshuar tretëse.

Policia ka bërë të ditur se vlera e substancave narkotike të sekuestruara arrin rreth 30 mijë euro.

“Të dyshuarit janë arrestuar  dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”- thuhet në raportin e lëshuar, më 23.04.2026.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika