Policia e Durrësit ka vënë në pranga dy doganierë në Portin e Durrësit, pasi janë përfshirë në një kontrabandë ilaçesh.
Në këtë aksion janë arrestuar edhe dy shtetas nga Kosova, Granit Kerxhaliu dhe Behar Lleshi si dhe dy doganierët Artan Topuzi, Enkel Shehi.
“Strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Durrës, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se disa shtetas po transportonin medikamente mjekësore dhe sende të tjera të paligjshme, pa dokumentacionin përkatës, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar ‘Porosia’, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë për veprat penale ‘Kontrabanda me mallra të tjera’, ‘Kontrabanda me mallra të licencuara’ dhe ‘Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë’, shtetasit G. K., 35 vjeç, banues në Kukës dhe B. Ll., 57 vjeç, lindur në Kosovë dhe banues në Londër”, ka njoftuar Policia e Durrësit, raporton “Report TV”.





