Policia e Kosovës arrestoi një vit më parë disa zyrtarë të komunës së Pejës nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.Në mesin e personave të arrestuar ishin edhe Inspektori i Ndërtimit në këtë komunë, Bajram Muzlijaj, drejtori i Urbanizmit, Rajan Arapi dhe zyrtarja ligjore në Drejtorinë e Urbanizmit, Florije Berisha.
Por edhe pse kanë kaluar një vit nga ngjarja ende nuk është ngritur aktakuzë ndaj tyre dhe nuk dihet në cilën fazë janë hetimet.
“Gazeta Blic” ka dërguar pyetje në zyrën për media të Prokurorisë së Pejës, në lidhje me rastin.
Të njëjtit, në përgjigjen e tyre dhënë për redaksinë tonë kanë deklaruar se janë në fazën finale të hetimeve dhe pasi të përfundojnë te gjitha veprimet do të dalin me një njoftim rreth rezultateve hetimore, pa dhënë shumë detaje.
“Lidhur me rastin në fjalë jemi në fazën finale të hetimeve dhe pasi të përfundojnë të gjitha veprimet do dalim me njoftim rreth rezultateve hetimore nga Prokurori i Shtetit për zyrtarët komunal që janë hetuar për veprat penale nga kapitulli i korrupsionit.Për shkak se mund ta dëmtojmë procesin hetimor, nuk mund të japim me shumë informata lidhur me këtë çështje penale” deklaroi zëdhënësi për media i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikqi për “Gazeta Blic”
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, në lidhje me rastin në fjalë pati dhënë disa detaje pas arrestimeve.Kurmehaj pati deklaruar se kjo iniciativë ka rrjedh prej tij pas shqetësimeve të qytetarëve për ndërtimet pa leje.
“Kjo iniciative ka rrjedhe prej meje, pas shqetësimit të qytetarëve për ndërtimet pa leje që janë duke u lejuar në Klinë, Deçan, Pejë, Junik dhe Istog. Unë si kryeprokuror kam caktuar pesë prokurorë që janë marrë me rastin.
Kemi bastisur tri komuna, Pejë, Klinë Istog, 10 janë arrestuar, disa prej tyre drejtorë, nën dyshimet se kanë kryer vepër penale keqpërdorim të pozitës zyrtare”, pati deklaruar ai në një konferencë për media, raporton Gazeta Blic.Në një aksion të madh policor ku përfshiu Pejën, Deçanin, Klinën dhe Istogun, u arrestuan dhjetë persona nën dyshimet për shkelje ligjore sa u përket ndërtimeve pa leje në këto komuna.
/Gazeta Blic/