Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) është duke e trajtuar një informacion që ka të bëjë me pretendimin se presidentja Vjosa Osmani ka disa pasuri të padeklaruara, ndonëse në Presidencë mohojnë të kenë pranuar një informacion të tillë.
KALLXO.com i ka dërguar pyetje APK-së, më 05.01.2026, në lidhje me pretendimet e ngritura dhe është në pritje të përgjigjeve. Ndërkohë, KALLXO.com ka marrë vesh nga burimet në APK se e kanë pranuar një raportim, në të cilin pretendohet për disa pasuri të padeklaruara të Osmanit dhe atë janë duke e trajtuar.
Bekim Kupina, këshilltar për Media i presidentes Osmani, ka thënë e para e shtetit e mirëpret çfarëdo verifikimi rreth pasurisë së saj.
“Presidentja Osmani mirëpret çfarëdo verifikimi nga cilido institucion, që është i bazuar në pavarësi, paanshmëri, integritet, ligj dhe fakte të vërteta, por jo në fushata njollosjesh, të cilat dihet mirëfilli pse po ndodhin në këtë fazë.” – ka thënë Kupina për KALLXO.com, më 06.01.2026.
Presidentja Osmani është në muajt e fundit të mandatit presidencial dhe e ka bërë të qartë synimin edhe për një mandat të dytë. Në fakt, deri më tani nuk ka sinjale publike për kandidatë të tjerë që do t’i hyjnë kësaj gare.
Mandati i Presidentes përfundon në prill të vitit 2026. Ajo e nisi këtë detyrë më 4 prill 2021, kur u zgjodh nga Kuvendi i Kosovës me 71 vota për, nga 82 deputetë pjesëmarrës në votim.
Më 23.04.2025, është publikuar deklarimi i pasurisë së presidentes Vjosa Osmani. Në këtë deklarim figuron se ajo i merr 33,104 euro neto si pagë vjetore.
Ndërsa, nga mëditjet në udhëtimet zyrtare jashtë vendit, për një vit ajo kishte përfituar 11,639 euro.
Osmani ka deklaruar se me bashkëshortin posedojnë një “banim” të blerë në vitin 2019, me vlerë 208,000 euro.
Në emër të bashkëshortit Prindon Sadriut ajo ka deklaruar një banesë në vlerë mbi 59,760 euro, një shtëpi në Australi 170,000 euro, një garazh kolektive 6,000 euro.
Presidentja ka deklaruar një tokë në emrin e saj, 5.10 ari, të cilën deklaron ta ketë blerë 35,000 euro në vitin 2016.
Pronën në Australi në vlerë 530,000 euro, të deklaruar në emër të bashkëshortit, Osmani e ka arsyetuar se është blerë me para nga “shitja e shtëpisë në Australi në pronësi të bashkëshortit, shitja e shtëpisë së prindërve të tij (vlera e trashëgimisë), kursime, hua familjare”.
Osmani ka deklaruar një veturë në vlerë 10,000 euro në pronësi të bashkëshortit, e tipit Mercedes, e blerë nga kursimet dhe shitja e veturës paraprake.
Tutje, ajo ka deklaruar dy kredi: një 40,000 euro dhe tjetra 16,000 euro.
Këstet e papaguara për punët shtesë të shtëpisë nga Kompani të ndryshme kanë mbetur 16,000 euro. Kurse, huamarrje për pagesën e banimit në Melbourne ka deklaruar 40,500.00 euro, në kuadër të të drejtave dhe detyrimeve financiare ndaj personave fizik dhe juridik.
Ndërsa, për bashkëshortin e saj Prindon Sadriu ajo ka deklaruar pagë vjetore 11,068 euro. Kurse, nga Vendimi gjyqësor në çështjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka përfituar 19,000 euro.
Sadriu nga të hyrat nga qiraja në shtëpinë në Australi i ka pasur 12,500 euro.
Nga mëditjet nga puna në Ministri të Punëve të Jashtme, ai ka marrë 2,800 euro.
Në deklarimin e datës 20.04.2024, Osmani ka afër 1 milion euro pasuri të paluajtshme të deklaruara nën pronësi të përbashkët me bashkëshortin, Prindon Sadriun./Kallxo.com