Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë njoftuar se është anuluar konferenca përgatitore e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në rastin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, e cila ishte paraparë të mbahej të enjten.
Kjo gjykatë ka njoftuar se gjatë konferencës së mërkurës trupi gjykues ka nxjerrë një numër vendimesh gojore që urdhërojnë, mes të tjerash, se gjykimi në këtë çështje do të fillojë më 7 tetor me deklaratën hyrëse të ZPS-së.
Sipas njoftimit, paraqitja e provave të ZPS -së do të fillojë më 18 tetor dhe ZPS-ja do të thërrasë 3 dëshmitarë dhe do të ketë 4 ditë seanca dëgjimore për çështjen e saj. Kurse, datat e synuara për mbylljen e çështjes së ZPS-së dhe gjykimit në tërësi janë caktuar përkatësisht më 9 nëntor dhe 17 dhjetor 2021.
Hysni Gucati, së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.
“Me këto veprime Gucati dhe Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.