Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti ka njoftuar se ka dërguar një letër drejtuar Përfaqësuesës së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, duke kërkuar hapa konkretë për të detyruar Serbinë të bashkëpunojë dhe të hapë arkivat shtetërore të saj, përfshirë ato ushtarake, policore dhe të inteligjencës.
“Në këtë letër, kemi kërkuar hapjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të arkivave shtetërore të Serbisë, të cilat përmbajnë informacione kyçe mbi vendndodhjen e të zhdukurve, bashkëpunim të plotë për zbardhjen e rolit të forcave paramilitare dhe bashkëpunëtorëve serbë, të cilët, me mbështetjen e regjimit të Millosheviqit, ekzekutuan dhe zhdukën mijëra shqiptarë, dhe llogaridhënie për refuzimin e vazhdueshëm të Serbisë për të dorëzuar informacion mbi varrezat masive të njohura brenda territorit të saj”- ka thënë ai.





