Analisti amerikan dhe profesori i John Hopkins University, Daniel Serwer ka reaguar pas konferencës që ka mbajtur të mërkurën emisari i SHBA-së pë Ballkanin Perëdnimor, Gabriel Escobar, pas takimit të nivelit të lartë Kurti-Vuçiq.
Serwer në komentimin që i ka bërë përgjigjeve të Escobar, ka thënë se ajo që dëshiron Serbia është obligim i menjëhershëm për Kosovën derisa Kosova për dëshirat e veta duhet të pres.
“Çfarë dëshiron Serbia është një obligim i menjëhershëm për Kosovën, por Kosova vetë duhet të presë për ato që dëshiron”, ka shkruar Serwer.
Në këtë kritikë ndaj SHBA-së, është bashkuar edhe analisti tjetër zviceran, Toby Vogel që është pjesë e Democratization Policy Council.
Vogel ka thënë se një kritikë e tillë vlen edhe për Bashkimin Evropian.
“Kogja shumë, dhe kjo vlen edhe për BE-në”, ka shkruar Vogel.
Kosovës po i kërkohet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kjo madje po konsiderohet edhe pika startuese e fillimit të implementimit të Marrëveshjes Themelore të arritur në Ohër. Serbia nga ana tjetër ka deklaruar se pa nisur Asociacioni s’mund të ketë kurrfarë marrëveshje.
Draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i prezantuar më 2 maj në Bruksel, ka 67 nene dhe është i ndarë në nëntë kapituj, si: dispozitat e përgjithshme, çështjet e komunitetit, struktura organizative, anëtarësimi në Asociacion dhe marrëdhëniet ndërmjet komunave anëtare, asetet dhe të ardhurat, format e vendimmarrjes së drejtpërdrejtë, ndryshimet në statutin e Asociacionit, shpërbërja e Asociacionit dhe dispozitat tranzicionale dhe përfundimtare.
Ky draft-statut, i hartuar nga Ekipi Menaxhues – i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb – u prezantua gjatë një takimi të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të BE-së.
Kurti e refuzoi dokumentin, duke thënë se nuk është në përputhje me kushtetutshmërinë e Kosovës.
Vuçiq tha se është “shumë i shqetësuar”, sepse është e qartë se “Prishtina nuk dëshiron ta përmbushë obligimin e saj të dhjetë vjetëve më parë” për formimin e Asociacionit.
Ndryshe, Asociacioni duhet ta ketë buxhetin e vet, ku do të shënohen të gjitha të ardhurat dhe përfitimet.
Draft-statuti parasheh që Asociacioni të gjenerojë të ardhura bazuar në pjesëmarrjen e komunave anëtare, nga shërbimet e ofruara nga Asociacioni, taksat dhe tarifat, si dhe nga fondet e ndara nga buxheti i Serbisë.
Drafti parasheh që burimet natyrore që gjenden në territorin e komunave anëtare të Asociacionit, të menaxhohen nga Asociacioni, ashtu si edhe asetet me interes, si: tokat bujqësore, pyjet dhe ujërat tokësore.