Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Jozsef Bencze nuk preferon të japë rekomandime për politikanët kosovarë, por thotë se do të ishte mirë që marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi të arrihet sa më shpejtë që është e mundur.
Ai thotë se rruga e integrimit evropian për Kosovën dhe Serbinë është e lidhur pikërisht me marrëveshjen e cila duhet të arrihet në mes të dy vendeve.Ambasadori hungarez në një intervistë për fundvit për KosovaPress, thotë se Hungaria është një nga vendet që mbështetët Kosovën në rrugën e integrimit evropian.Ai thotë se mbështesin lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, pasi kjo e fundit ka përmbushur 95 kriteret e nevojshme për liberalizimin e vizave.
“Nuk na pëlqen të japim mesazhe konkrete, sepse së pari, përgjegjësia kryesore është e popullit të Kosovës dhe e liderëve të Kosovës dhe nëse ata do të vendosin, ne mund t’i mbështesim, por dialogu Beograd-Prishtinë filloi shumë kohë më parë. Do të ishte mirë, të gjendet një zgjidhje e mirë sa më shpejtë të jetë e mundur sepse Serbia mund të jetë anëtare e BE-së nëse dialogu Beograd-Prishtinë do të zgjidhet dhe anasjelltas, Kosova mund të shkojë përpara, nëse ky dialog Beograd-Prishtinë do të zgjidhej shumë pozitivisht, por varet nga të dy vendet. Ne mund ta mbështesim, Bashkimi Evropian mund ta mbështesë, SHBA mund ta mbështesë këtë proces, por puna e vërtet bëhet nga Kosova dhe Serbia”, thotë ai.Duke komentuar dialogun Kosovë – Serbi, Bencze thotë se janë të interesuar për një zgjidhje sa më të mirë, teksa shton se në këtë aspekt nuk do të mungojë mbështetja hungareze.“Ne jemi të interesuar për zgjidhjen sa më të mirë, nëse të dy vendet (Kosova dhe Serbia) do të bien dakord, ne mund ta mbështesim shumë fort këtë marrëveshje. Ne jemi të interesuar që vendet e Ballkanit Perëndimor të mund të jenë anëtare të BE-së dhe anëtare të NATO-s, përfshirë edhe Kosovën”, shprehet ai.
Ai thotë se fakti se Kosova ka arritur të përmbushë kriteret që nevojiten për liberalizimin e vizave, bën që Hungaria të jetë pro liberalizimit të vizave për kosovarët.“Ju e dini që Hungaria është një nga mbështetësit më të mëdhenj për Kosovën dhe për integrimin evropian të Kosovës dhe liberalizimin e vizave.Mendimi i qeverisë hungareze është se Kosova ishte student i shkëlqyer në këtë fushë. Hungaria është një mbështetëse”, thotë ai.Ambasadori hungarez Jozsef Bencze flet edhe për pandeminë e shkaktuar nga koronavirusi, e cila goditi gjithë botën.Ai thotë se përkundër problemeve që shkaktoi ky virus, bashkëpunimi bilateral mes Hungarisë dhe Kosovës nuk mungoi asnjëherë, duke dhënë kështu rezultatet e veta në disa fusha.“Pandemia ishte një problem vërtet i madh jo vetëm në Kosovë por edhe në Evropë, vala e parë nuk ishte problem në Hungari, por vala e dytë është një problem i madh, por bashkëpunimi ynë dypalësh ishte shumë i suksesshëm në muajt e fundit. Pasi mbërrita në Prishtinë, në mes të Shtatorit, kisha mundësinë të takoja 70 persona të ndryshëm, shumë të rëndësishëm në Kosovë, në Prishtinë, shumë ministra dhe shefa të organizatave të ndryshme, për shembull në polici, dogana dhe të tjerë, gjithashtu disa kryetarë komunash në vend.
Nuk ishte problem. Disa programe u anuluan për shkak të pandemisë, por në muajt e fundit, ne patëm mundësinë të jemi të suksesshëm”, thekson ai.E disa nga projektet e suksesshme që u realizuan në kuadër të këtij bashkëpunimi bilateral, Bencze thotë të jenë: zbulimi i bustit të Skënderbeut në Prizren, nënshkrimi i disa marrëveshjeve në fushën e arsimit dhe investimit, si dhe nënshkrimi i marrëveshjes lidhur me kredinë e kushtëzuar, e cila përmban pesë projekte të ndryshme për Kosovën, katër prej të cilave kanë të bëjnë me menaxhimin e ujit, dhe e pesta është një projekt i sigurisë në trafik.Për më tepër, përkundër pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, ambasadori hungarez tregon se edhe këtë vit, sikurse viteve të kaluara, studentët e Kosovës e kanë mundësinë që përmes programit për bursa “Stipendium Hungaricum” të shkojnë për studime në Hungari