Ministrja Drejtësisë në vend, Albulena Haxhiu ka reaguar pas raportimeve se Qeveria është duke planifikuar shkarkimin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandar Lumezi.
Haxhiu tha se një raportim i tillë është i pavërtetë dhe se zgjedhja e kryeprokurorit të shteti bëhet vitin e ardhshëm dhe kjo nuk është në mandatin e Qeverisë, por të Këshillit Prokurorial.
Reagimi i plotë:
REAGIM
Prej kohës kur kam pranuar detyrën, unë dhe kabineti im kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me mediet sepse respektojmë dhe vlerësojmë lartë rolin që mediet kanë në shoqëri.
Nuk ka pasur asnjë rast të vetëm që nuk jemi përgjigjur në pyetjet që janë drejtuar dhe që lidhen me mandatin tonë si Ministri.
Sot, në portalin Insajderi, po qarkullon një lajm i pavërtetë që kinse Qeveria është duke planifikuar shkarkimin e kryeprokurorit Lumezi.
Zgjedhja e kryeprokurorit të shtetit bëhet vitin e ardhshëm dhe kjo nuk është në mandatin e Qeverisë por të Këshillit Prokurorial.
Nëse portali Insajderi nuk e tërheqë këtë lajm të pavërtetë dhe nuk kërkon falje atëherë ne do të rishqyrtojmë bashkëpunimin tonë me këtë portal.
Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin e mirë dhe profesional me të gjitha mediet të cilat respektojnë standardet profesionale dhe etike të punës.