Prokuroria Themelore në Prizren, përmes zyrës së saj për infomim, njofton se Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve E.A., (shtetas turk), dhe H.B., (shtetas kosovar), të cilët gjenden nën masën e paraburgimit, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprat penale “Lëndimi i rëndë trupor” nga neni 186, par.5 lidhur me par.3, pika 3.2 lidhur me par.2, pika 2.1, “Mosdhënia e ndihmës” nga neni 188, par.4 lidhur me par.1 si dhe veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre” nga neni 378, par.1, pika 1.3 sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, i pandehuri E.A., me datë 06.07.2024, rreth orës 23:50 min, në Prizren, me anë të mjetit të rrezikshëm, i shkakton lëndim trupor personit tjetër dhe për pasojë shkakton vdekjen e tij, në atë mënyrë që paraprakisht takohen me viktimën A.Th., nga Prizreni në lagjen ‘’Kurillë’’, me ç’rast viktima ia kërkon telefonin të pandehurit me qëllim që ta njoftojë shokun e tij – të pandehurin tjetër H.B., dhe pasi që ky i fundit vjen me veturën e tij në lokacionin në fjalë, i pandehuri ulet në ulësen e pasme të automjetit, derisa viktima në ulësen e përparme dhe pas një konfrontimi verbal me njëri – tjetrin, dalin nga vetura, me ç’rast i pandehuri me përdorimin e një mjeti të mprehtë, e godet viktimën në pjesën e përparme të këmbës, duke i shkaktuar plagë therëse, të konstatuara si në Raportin e Autopsisë – të datës 31.10.2024, dhe largohet nga vendi i ngjarjes, ku për pasojë, viktima nga plagët e pësuara, pasi fillimisht pranon ndihmën mjekësore pranë Qendrës Emergjente në Prizren, dërgohet më pas pranë QKUK-së në Prishtinë, ku si pasojë e shokut hemorragjik edhe ndërron jetë. Me këto veprime, i pandehuri E.A., ka kryer veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor” sipas KPRK-së.





