LAJME

Aktakuzë ndaj ish-kryeshefit të Telekomit, Agron Mustafa

TV Prizreni
TV Prizreni
4 Maj 2023, 15:43

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryeshefit të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, për kontratën me kompaninë “Paykos”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë ai akuzohet për veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”.

“Pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, më 3 maj 2023, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit A.M., për shkak të veprës penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, nga neni 291 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, dhe lidhur me nenin 81 paragrafi 1 nën paragrafi 1.2 dhe 1.5 të Kodit Penal të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se ai në vend se t’i mbrojë interesat e ndërmarrjes, ka ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të saj dhe ka shkaktuar dëm në vlerë mbi 6 milionë e 396 mijë euro.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri, në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit të Kosovës SH.A në Prishtinë, më 16.03.2015 e në vazhdimësi me dije ka vepruar në dëm të PTK-së, ashtu që përmes lidhjes së anekseve, marrëveshjeve duke ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të ndërmarrjes që ka përfaqësuar, në vend që t’i mbrojë interesat e saj, i njëjti me dashje i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe Telekomit të Kosovës, dhe atë në vlerë prej 6,796,732 € (gjashtë milion e shtatëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e tridhjetë e dy euro)”, thuhet në njoftim.

Me këtë i pandehuri thuhet se ka kryer veprën penale të lartcekur, andaj Prokurori i Shtetit. “Me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë”, thuhet në njoftim.

Koha ka kërkuar një përgjigje nga ana e Mustafës lidhur me këtë aktakuzë, dhe posa ta marrë atë teksti do të përditësohet.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika